Me vettingun që pritet të rifillojë sërish me procedura të përshpejtuara në shtator për të bërë të mundur pastrimin e sistemit të drejtësisë sa më shpejtë të jetë e mundur, i hapet rrugë edhe krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë si KLP, KLGJ dhe SPAK.
E pikërisht nja nga këto institucione ku Ambasada e SHBA kërkon që të aplikojnë gjyqtarët pa u droje dhe frikë është Këshilli i Lartë i Gjyqësorit.
“Iu bëjmë thirrje gjykatësve të ndershëm, patriotë dhe me integritet nga gjykatat e apelit që të bëjnë përpara dhe t’i shërbejnë vendit të tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Bëhuni pjesë e të ardhmes së Shqipërisë!”, shkruhet në faqen e Ambasadës amerikane, e cila është investuar në pastrimin e drejtësisë shqiptare.
Sipas Ambasadës së SHBA, “Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që vërtet i shërben interesave të qytetarëve të saj”.
Vlen të theksojmë se deri më tani asnjë gjyqtar nuk i është përgjigjur thirrjes së Gjykatës së Lartë, për të kandiduar për postin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili duhet të përzgjidhet nga anëtarët e pesë gjykatave të Apelit të rretheve. Pas thirrjes së publikuar për herë të parë më 31 korrik, Gjykata e Lartë vendosi të bëjë një thirrje tjetër në 22 gusht, duke lënë Si afat për dorëzimin e dokumentacionit datën 6 shtator.
Pak ditë më pare në një intervistë për Top Channel ambasadori amerikan në largim Donald Lu shprehu besimin se Shqipëria është pranë krijimit si të KLP edhe të KLGJ.
“Këshillit të Lartë gjyqësor i duhet vetëm një gjyqtar i guximshëm i gjykatave të Apelit për të dalë vullnetar që të shërbejë në Këshill. Kam besim që në javët e ardhshme ky proces do të përmbyllet dhe do të ecet përpara me emërimin e gjyqtarëve të rinj, SPAK dhe BKH” u shpreh Lu pak ditë para se ambasada të publikonte mesazhin inkurajues për aplikimin.