Luftë peshkarexhash Britani-Francë në “La Mansh” (VIDEO)

507

Një përplasje e vërtetë “titanësh” ka ndodhur në kanalin anglez, të njohur si “La Manche”, kur peshkatarët francez dhe ata anglezë janë përleshur me gurë dhe kanë përplasur varkat në një betejë për të kontrolluar pjesët detare ku ka më shumë butakë.

Sipas DailyMail, 40 anije franceze rrethuan pesë anije të Mbretërisë së Bashkuar, pasi po “vidhnin” peshkun dhe butakët. Videoja e publikuar nga tabloidi anglez tregon degjenerimin në dhunë të një lufte vjetore mbi butakët e çmuar, teksa një anije peshkimi përpiqet të luftojë një tjetër, me një varkë më të vogël që ngec mes tyre, pak pasi gurë ishin hedhur nga pala franceze.

Gurë u hodhën dhe anijet u përplasën duke lënë një numër anijesh me vrima, ndërsa rivalët e zemëruar u përplasën në Seine Bay, sipas raporteve lokale. U desh ndërhyrja e zyrtarëve nga Franca për të ndalur agravimin e situatës dhe vendosjen e paqes në ujërat e pasura me butak jashtë Normandisë.

Sipas mediave franceze, anijet e peshkimit ishin nisur nga Trouville-sur-Mer, Port-en-Bessin dhe Ouistreham për t’u përballur me anglezët, për të cilët nuk dihet nga cilat porte ishin nisur.

“Francezët shkuan të kontaktojnë britanikët dhe t’i ndalonin ata të punonin, por u përleshën me njëri-tjetrin”, tha shefi i peshkimit të Normandisë, Dimitri Rogoff, duke pohuar se nuk kishte dijeni për ndonjë të lënduar.

Zyrtarët francezë të peshkimit më vonë akuzuan britanikët edhe për vjedhje të peshkut e butakëve.

Qeveria franceze i lejon peshkatarët të kapin peshk dhe butak në mes të tetorit dhe majit, por peshkatarët britanikë nuk përballen me të njëjtat rregulla. Anijet franceze duhet t’i lejojnë rezervat lokale të rigjenerohen, por britanikët nuk duan t’ia dinë për kufizime ligjore.

Tensionet kanë qenë të larta midis peshkatarëve britanikë dhe francezë për disa vite me radhë, duke shkaktuar mosmarrëveshje plot tension. Në disa vite, të dyja palët kanë arritur marrëveshje të pjesshme, por ‘jo këtë vit’, tha Rogoff.

Ndërkohë sipas mediave nga të dy vendet, përplasje të ngjashme, akoma edhe më të ashpra mund të pasojnë nëse Britania del nga BE pa një marrëveshje të specifikuar për Brexit.