Nga konkurentët deri tek juria VIP, ja çfarë u zbulua për emisionin e modës Albanian Designers Competition

144

Ka nisur tashmë transmetimin formati më i ri në Living HD, ADC (Albanian Designers Competition). Për herë të parë në Shqipëri realizohet një talent show në fushën e modës. 10 stilistë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova garojnë për 10 javë për të fituar çmimin e madh dhe për tu shpallur emri më i ri dhe më i talentuar në skenën e modës Shqiptare.

Ky format moderohet nga Bora Zemani dhe stilisti i mirënjohur Ardi Asllani është mentor i stilistëve të rinj. Përballë jurisë të përberë nga artistja Jonida Maliqi, stilisti Joni Peci, Bora Zemani dhe një i ftuar special në çdo natë, 10 konkurrentët do të prezantojnë krijimet e tyre të realizuara nën ndikimin e rregullave të forta me temë, buxhet dhe kohë të paracaktuar.

Në javën e 9 do të zgjidhen 3 finalistë, të cilët në spektaklin e fundit , (java e 10-të) që do të jetë një nga eventet më të rëndësishëm të modës Shqiptare , do të  paraqesin 3 koleksione me nga 10 krijime secili. Fituesi i ADC do të fitojë, një atelie të kompletuar për të filluar rrugëtimin e tij në biznesin e modës, një udhetim në javën e modës në Milano ku do të ketë mundësine të vizitojë nga afër dhe markën Nenette, si dhe do të fitojë kopertinën e revistës “Living” me një nga krijimet e tij. ADC Show do të transmetohet premierë çdo të premte në orën 21.00 në Living HD.

Gjatë 5 ditëve të para të javës çdo pasdite në 18.30 do transmetohet emisioni “Ne Atelie” , një përmbledhje e ngjarjeve të çdo dite gjatë proceseve të punës krijuese se stilistëve në atelie. Çdo pasdite publiku ka mundësi të njihet nga afër me stilistet, karakterin,talentin dhe veshtirësitë e tyre gjatë realizimit të çdo sfide.Jo vetem Prêt à Porter por edhe Haute Couture do të sfilojë në pasarelen e ADC. Për herë të parë në vendin tonë, në një pasarele mode do të sfilojë talenti, guzimi, imagjinata, dhe këndveshtrimi më i ri i modës Shqiptare. Ky format do të transmetohet dhe në kanalet Tring International dhe Tring Shqip.