Korigjimi i kufirit Kosovë-Serbi, Merkel: Mund të ketë pasoja për Ballkanin

442

Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi se marrëveshja e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë për modifikimin e kufirit mund të sjellë pasoja në të gjithë Ballkanin.

Merkel i bëri këto komente gjatë një konference për media në Berlin së bashku me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviç.

“Ne natyrisht i mbështesim të gjitha bisedat, që mund të çojnë drejt qëllimit, por në të njëjtën kohë, themi se integriteti territorial ashtu siç është tani është një vlerë e rëndësishme”, tha Merkel.

Ajo paralajmëroi se marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës për territorin e tyre kufitar mund të krijojë precedent dhe mund të çojë në negociata të ngjashme në vendet tjera të Ballkanit. “Duhet të jemi të kujdesshëm që negociatat në një vend të mos çojnë në negociata në një vend tjetër”, u shpreh Merkel.

Pllenkoviç në anën tjetër tha se duhet të respektohen kufijtë dhe se çdo ndryshim territorial mund të ndikojë në pjesë tjera të Ballkanit dhe të krijojë destabilitet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç kanë shpalosur së fundmi idenë për korrigjim të kufijve. Thaçi ka thënë sot përmes një postimi në Facebook se përkrah bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si pjesë të territorit të Kosovës, mirëpo është kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.

Thaçi e Vuçiç do të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.