U zhvillua sot seanca e dytë dëgjimore me ministrin Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, të thirrur nga demokratët për t’u informuar lidhur me negocimin për një marrëveshje të re me Greqinë lidhur me kufirin detar.
“Presidentit i është bërë kërkesa, nuk mund ta tregoj këtu korrespondencën mes meje dhe tij. Për grupin negociator, në asnjë vend të botës nuk ka ekspertë nga opozita, lista vjen në bazë të përfaqësimit institucional. Nuk ka një marrëveshje.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati pranoi gjithsesi para deputetëve në Komisionin e Jshtëm se shteti Grek kishte përdorur ligjin e tij të luftës, si kartë negocimi.
“Greqia ka kërkuar ta shfyqizojë ligjin e luftës në forma që për ne nuk ishin të plota”, tha ministri Bushati.
Përkundër deklaratave të opozitës, Bushati tha se “Kotzias, në 2 intervista të tij thotë se nuk ka marrëveshje. Unë nuk e di çfarë do të thotë marrëveshje politike, unë di marrëveshje të së drejtës ndërkombëtare”.
Ministri paraqiti një çertifikatë personeli e lëshuar nga Republika e Shqipërisë për Artur Meçollarin, por kjo nuk i bindi deputetët e opozitës që vijojnë ta konsiderojnë të papërshtatshëm për të qënë pjesë e grupit negociator, nisur nga pushimi nga puna në vitin 2012 nga Forcat e Armatosura. Opozita në Komisionin e Jashtëm kërkoi një seancë të veçantë dëgjimore me ministren Xhaçka për të informuar lidhur me Artur Meçollarin.
Një seancë dëgjimore edhe me presidentin Ilir Meta për marrëveshjen me detin kërkoi demokrati Tritan Shehu, i cili duket se ka marrë konfirmim pozitiv nga zëdhënësi i kreut të shtetit, Tedi Blushi. Paraqitja e Presidentit të Republikës përballë deputetëve në komision është një precedent në vend. Kjo pasi asnjë President në detyrë nuk është paraqitur ndonjëherë më parë për t’u përgjigjur përballë një komisioni parlamentar.