Dhuna në Borizanë, deputeti socialist Rrahman Rraja deklaron dorëzimin e mandatit dhe largimin nga jeta politike

151

Deputeti socialist Rrahman Rraja ka deklaruar dorëzimin e mandatit dhe largimin nga jeta politike, pasi fëmijët dhe të afërmit e tij u përfshinë në një ngjarje të dhunshme dy ditë më parë në fshatin Borizanë afër Fushë- Krujës .

Në një deklaratë për media e deputeti Rraja shprehet se “Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht une dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time” shkruan Rraja.

Deputeti i bën thirrje djalit të tij, i cili është shpallur në kërkim, që të dorëzohet para drejtësisë.

“I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhënte forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që me la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova” përfundon deklarata e deputetit socialist Rrahman Rraja .

Dy ditë më parë në media qarkulloi video ku dukeshin vëllezërit e deputetit Rraja dhe djali i tij të pajisur me shkopa gome, ndërsa njëri prej vëllezërve me armë në dorë, teksa ushtronin dhunë ndaj dy vëllezërve të cilët vazhdimisht ishin ankuar se gurorja e familjes Rraja po i shkatërronte shtëpitë nga shpërthimet që kryheshin aty.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi duke e konsideruar dhunën të papranueshme, teksa theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund t’u shpëtojnë përgjegjësive “në asnjë rrethanë”. Ministri ka zhvilluar edhe një takim sot me Drejtorin e Policisë Muhamet Rrumbullaku, ku ngjarjet me sfond kriminal besohet se ishin tema kryesore e takimit mes dy zyrtareve që përgjigjen për rendin dhe sigurinë publike.