Nuk janë pak 35 vite, por as shumë nuk janë, për të mbuluar me harrim një ngjarje që trondi Shkodrën dhe Shqipërinë. Ramiz Alia asokohe po luante aktin e fundit të tragjedisë së diktaturës komuniste, dhe në skenë kishte vënë më virtuozët e krimit dhe më zedhtarët e barbarisë çnjerëzore.
Po, 35 vite më parë, më 25 gusht të vitit 1989, është shënuar një ngjarje makabre, që ka tronditur kohën dhe shastisur njerëzinë, gjithë Shkodrën me rrethinat e saj.
Dy të rinj nga fshati Hoten i Barbullushit, kushërinj të një fisi, Gjon Mark Kumbullaku, 25 vjeç, dhe Dode Fran Gjerkaj, 22 vjeç, në tentativë për të kaluar kufirin shqiptar në zonën Sukaj, Dajç, ishin pikasur nga ushtarët e shërbimit dhe vrarë me armë zjarri automatike pa paralajmërim.
Ndoshta ushtarët e shërbimit nuk kishte zgjidhje tjetër, por edhe nëse ajo ishte, dhe sigurisht që ishte dhe është pranuar nga ata që ishin më shumë se ushtarë të bindur të një regjimi diktatorial. Megjithatë ata nuk e zgjodhën atë shteg dinjiteti, që t’i linin këto të rinj të ndiqnin rrugën e tyre, por kurrsesi të ishin ata roje kufiri të shkruanin fatin e keq të tyre.
Gjithsesi kjo ndodhi dhe fjala mori dhënë. Shkodra krejt u përpi nga lajmi. Ngado flitej në heshtje dhe me zë nëpër terr, me zjarr në shpirtra e me shtërngim dhëmbësh në urrejtje.
Regjimi në grahmat e fundit nuk u mjaftua vetëm me vrasjen. Mizoria e diktaturës ramiziste kishte një mundësi të mirë, jo vetëm të tregonte se ishte një vazhduese e denjë e diktaturës së atit të tyre shpirtëror, Enver Hoxha, i cili kishte “kthyer patkonjtë nga dielli”, tre vite më parë. Ajo duhej të bënte shembull për shkodranët rebel dhe të pabindur dhe t’u tregonte atyre, se cilido që guxon do të ketë të njëjtin fund.
Pasi i vranë, kufomat e Gjon Mark Kumbullaku, 25 vjeç, dhe Dode Fran Gjerkaj, 22 vjeç u lidhën me tela me gjemba në karrocerinë e një kamioni dhe i shëtitën në disa fshatra të nëshkodrës, atje, pikërisht atje ku sigurimi kishte mbledhur informacion se po thureshin plane për të sfiduar shtetin dhe ku gëlonte ëndrra për të guxuar si këto dy fatkeq.
Po, dhe në Shkodër u “shfaq” kjo “paradë” makabriteti. I madh dhe i vëgël ishte i ftuar në këtë skenë tmerri. Zejtarët e së keqes e dinin se çfarë ishte më e mira që duhej bërë për të bërë shembull këtë “të keqe”.
Shkuan dhe në Barbullush përpara shtëpive të tyre, duke u’a bërë dhimbjen familjarëve edhe më të rëndë dhe duke zgjedhur të mbyllin këtë tragjedi siç dinin vetëm ata.
U lemerisën njerëzit me çfarë panë, por për ta kurajoja ishte më e fortë se frika dhe dëshira për të guxuar dhe rrezikuar ishte dhe mbeti një shteg prejnga ata do të gjenin rrugën për t’iu vënë pas ëndrrës.
Edhe pse kanë kaluar 35 vite, ende ky makabritet, kjo vepër prej të fundit të diktaturës komuniste, është e ruajtur në kujtesë, por jo dhe aq në vetëdijen dhe arsyen për të besuar se komunizmi, dhe gjithë pjella e saj e tragjedive, pavarësisht se ka ndërruar petka, ka mbetur i njëjtë.
Nëse dje regjimi të vriste, sot politika që ta ketë më të lehtë të sundojë të bindurit, rebelët i dëbon. Këtë e tregojnë edhe fshatrat e nënshkrodrës dhe jo vetëm, të braktisura dhe tokat djerr, nëna që jetojnë me vetminë dhe rrugë që përtypin pluhurin, mallin dhe lotët e atyre që vijnë çdo verë për pushime e për përmallime, për të ikur sërish dhe për të lënë gjithçka këtu, edhe këtë kujtesë të hidhur të 35 viteve më parë.
Nga | Albert Vataj