Dështon Kukësi, ndëshkohet 5-2 nga Torpedo

417

Kukësi ka zhgënjyer në ndeshjen e parë për fazën e 3 eliminatore të “Europa League”, ndaj Torpedo Kutaisit, duke u mposhtur me rezultatin 5-2.

Ekipi verior e nisi pjesën e parë si mos më keq, duke marrë dy golat e parë vetëm në çerekorëshin e parë të lojës. Gjeorgjianët shënuan dy herë me Kukianidze, pas neglizhencës së mbrojtjes, por më pas Kukësi rimori lojën në kontroll.

Goli i bukur nga distanca i boshnjakut Harba rihapi ndeshjen, madje skuadra mike shpërdoroi të tjera mundësi shënimi në stadiumin “Mikheil Meski”, me sulmuesin Reginaldo. Por, ofensiva e Kukësit ishte vetëm një iluzion, pasi gjeorgjianët goditën sërish me Marin dhe Kimadze, duke rënduar ndjeshëm bilancin në kuadratin e Frashërit.

Ndërkohë që edhe pjesa e dytë nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në lojën e kukësianëve, pasi Tornike Kapanadze çoi shifrat në 5-1. E dy minuta më pas, Sebino Plaku ngushtoi shifrat në 5-2, duke ekzekutuar saktë një 11-metërsh.

Ndërkohë ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Shqipëri.