“Nana jeme shtatzanë humbi fmijën nga shkelmat e policit t’burgut”

371

Një histori në astarin e historisë së përndjekjes së priftit dhe muzikantit Filip Mazreku. E ka treguar djali i motrës së tij, Margeritës, e cila, veç ankthit për të vëllanë e arrestuar, dhimbjes teksa shihte gjurmët e gjakut në rrobat që ia merrte për t’i larë, për shkak të dhunës së policëve, humbi dhe fëmijën që priste

Margerita ishte një grua e re, 22 apo 23 vjeçe, në pritje të një fëmije. Ishte motra e vetme e gjashtë vëllezërve. Tre prej tyre ishin oficerë, ndërsa një prift. Njërin prej vëllezërve oficerë, ia kishin vrarë partizanët në nëntor 1944 gjatë asaj fushatës gjakatare kundër ushtarakëve të Mbretërisë. Tashmë, që prej 28 shtatorit 1946, i kishin arrestuar edhe vëllanë prift.

Si motër e vetme, por edhe për faktin se Filip Mazreku, për shkak të zotimit ndaj shërbimit fetar, nuk kishte një familje të tijën, ishte Margerita ajo që kujdesej për vëllanë e arrestuar. Shkonte vazhdimisht në burgun ku e mbanin të izoluar, për t’i çuar ushqime, për t’i marrë teshat e papastra e për t’ia sjellë të lara, herën e ardhshme. E madje jo vetëm atij, por edhe disa priftërinjve të tjerë të burgosur që ishin arrestuar pas Lëvizjes së Postribës. Teshat që i dorëzonin për të larë, të mbushura me njolla gjaku, ia kishin rrëfyer tashmë torturat që pësonte i vëllai dhe të tjerët në ato qeli.

E dinte se çfarë ishin të zotë të bënin njerëzit që kishin marrë pushtetin, një vëlla ia kishin vrarë dhe tjetrin po ia torturonin pa mëshirë, ndaj çdo ditë shkonte me zemër të drithëruar drejt burgut, por gjithmonë duke menduar për Filipin dhe jo për veten. “Ajo ishte nuse e re atëherë,-tregon për kujto.al, i biri, Anton Lleshi, i cili në ato vite nuk ishte lindur ende,-por nana ka qenë një grua e rrallë, jo trimneshë, por e jashtëzakonshme”!
Po një ditë, edhe ajo pësoi mbi trup dhunën e policëve. “Nana ishte shtatzanë në muejin e shtatë. Siç më ka tregu ajo vetë, kur shkoi te daja, ata policat që ishin aty nisën me e sha e me i thanë: Ju nuk lindni fmij, ju pillni kriminela. Nisën ta shtynin e ta p’shtynin e njani prej tyne e qëlloi me shkelm në bark. Atëherë nana ashtë rrxue e noshta i ka ranë t’fikët, mandej e ka dështu fëmijën. Ajo nuk i njihte policët q’ishin aty. Disa flisnin edhe si prej Jugut, po ai që e ka qëllu në bark me shkelm fliste me dialekt shkodran”, ka treguar për kujto.al djali i Margeritës, Anton Lleshi.

Është një krim i paregjistruar, përveçse në kujtesën e viktimave. Krime të tilla nuk përmenden në raportet e oficerëve hetues, as në dokumentet e shkruara me leksikun dhe në frymën e kohës, që justifikojnë torturën dhe dënimin e të akuzuarve. Sigurisht nuk figurojnë as në shtypin e atyre ditëve. E ndonjëherë, humbasin brenda gjendjes e “ç’të treguarit më parë” të atyre që i kanë pësuar, parë apo dëgjuar me veshët e tyre, duke u përmendur jo si kryengjarje, por si një prej ndodhive të shumta të asaj kohe të pashpresë. Një gjendje krejtësisht e padrejtë, në të cilën diktatura detyroi të jetonin qindra familje shqiptare, siç ishte dhe familja e nënës së Anton Lleshit.

Margeritës një vëlla ia vranë. Filip Mazreku, si tregoni i nipi, provoi në hetuesi tortura rrëqethëse: macen në thes, vezët e ziera në sqetull, kunja pishe të ngulura nën thonj, etj. dhe deri në fund të jetës e kishte shpinën me gjurmët e çengelave që i kishin ngulur gjatë hetuesisë. “Edhe një vlla tjetër oficer ia dënuen fillimisht me pushkatim, mandej ia ulën dënimin dhe kur u lirue e internun në Shkodër, ku ai ndrroi jetë brenda vitit”. Të paktën, Filip Mazreku doli gjallë nga burgu dhe jetoi i lirë deri në fund të jetës, duke i shpëtuar ridënimit në valën e dytë të persekutimit të klerit, pas vitit 1967. Pasi u ndalua feja, u detyrua të punojë si bujk, ndërkohë që mund ta kishin lejuar të ishte së paku mësues muzike, ai mësuesi i muzikantëve më në zë shqiptarë, pasardhësi i Martin Gjokës, në korin françeskan “Scuola Cantorum” dhe Liceun “Illyricum”, ku u formuan kompozitorët Prenkë Jakova, Tish Daija, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, këngëtari lirik Lukë Kaçaj etj..

Por ky muzikant kaq i rëndësishëm për historinë e muzikës shqiptare, ishte thjesht një armik për regjimin komunist. Armike ishte dhe gjithë familja e tij, pavarësisht që i ati i tyre, Pjetër Mazreku, ishte patriot i njohur, bashkëluftëtar i Bajram Currit dhe themelues i dy shkollave shqipe në vitet 1923 dhe 1925 në Stajkë dhe Dajç. Përndjekja në periudhën e ndalimit të fesë, do të shtrihej madje edhe në vetë familjen e Anton Lleshit, e ëma e të cilit ishte motra e Filip Mazrekut.

Nga e majta ne te djathte, Margerita Mazreku Lleshi, Filip Mazreku, i ati i tyre, Pjeter Mazreku dhe vellai tjeter i Margerites dhe Filipit, Anton Mazreku, i kthyer nga Franca ne vitin 1952, pas amnistise qe u shpall nga qeveria per te larguarit

“Na kena hek të zezat e ullinit, sidomos baba, Injac Lleshi, si ndër agronomat e parë të rrethit të Shkodrës dhe Shqipnis. Vëllau ishte arsimtar, e kan hekë prej arsimit dhe e dërgun ushtar në repartin e punës. Mu nuk më dhanë të drejtën e shkollës për në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë”, tregon Anton Lleshi për kujto.al.

Janë vuajtje që thuajse humbasin si detaje në një tablo të ngarkuar me krime gjakatare dhe shpesh mungojnë veshët e interesuar për t’i dëgjuar. Megjithatë Anton Lleshi, veçanërisht për dajën prift, nuk hesht. Me detyrën morale të një të afërmi të ngushtë të familjes, aq më tepër që Filip Mazreku nuk la pasardhës të drejtpërdrejtë, publikon vazhdimisht foto, dëshmi, kujtime që flasin veçanërisht për aktivitetin muzikor dhe rolin e madh që ky prift-muzikant ka në historinë e muzikës shqiptare, një rol që diktatura u mundua ta fshihte, siç ndodhte gjithmonë me arritjet e atyre që ajo i dënonte.

Margerita Gita Mazreku Lleshi, 78 vjece

Siç bënin edhe njerëzit e saj me krimet që i kryenin përtej asaj që ua kërkonte detyra, vetëm sepse mundeshin.

a.çano

Shënim: Në foton kryesore, është Margerita Mazreku me të atin, të ëmën dhe vajzën e një prej vëllezërve. Të gjitha fotot janë siguruar nga i biri i Margeritës, Anton Lleshi.