Transmetimet lineare televizive i përkasin së djeshmes

432

Hyrja e Apple në biznesin e transmetimeve streaming (shkarkimit në kohë reale) do të përshpejtojë një zhvillim, në fund të të cilit është vdekja e transmetimeve lineare televizive, mendon Andreas Becker.

Me Apple në biznesin e streaming (shkarkimit të videove në kohë reale) hyn një nga firmat më të pasura të botës, e cila do të shpenzojë shumë para për përmbajtje të reja, ekskluzive. Ata që preferojnë filmat dhe seritë, kjo do t’i gëzojë. Konkurenca madje mund të bëjë presion edhe te çmimi, i cili i mban nën kontroll kuotat mujore të abonimit të Netflixit dhe Co.

Megjithatë, shumë njerëz në fund do të shpenzojnë më shumë para për zbavitje me video se më parë – thjesht sepse do t’u duhet të abonohen te më shumë shërbime, për t’i parë edhe ofertat më të bukura të reja. Po të nisin këtë vit edhe Disney dhe Warner shërbime të vetat streaming, peizazhi zbavitës do të copëzohet edhe më tej. Seritë e “Games of Thrones” pastaj ndoshta mund të shihen vetëm te Warner, Star Wars dhe superheronjtë Marvel vetëm të Disney. Ofertat ekskluzive janë të rëndësishme për mbijetesë në këtë biznes. Vetë prodhuesit e filmave dhe serive gjermane përfitojnë nga ky zhvillim. Porosi ata do të marrin nga ofruesit e shërbimeve streaming, por edhe nga stacionet klasike televizive, të cilët gjithashtu kanë nevojë për përmbajtje ekskluzive.

Degë ekonomike në proces shndërrimi

Por televizioni linear nuk do të mbijetojë në këtë zhvillim. Thjesht nuk ka shkak, që të të diktojnë të tjerët, kur duhet ta shohësh një film apo një seri. Përjashtime janë ngjarje që transmetohen në kohë reale, live-events, pra shumicën e herëve sporti.

Stacionet televizive komerciale ndodhen me këtë para një problemi madhor, i cili i ngjan problemit të gazetave. Klientela pakësohet dhe moshohet, të ardhurat nga reklamat bien. Por ende me shërbime streaming në internet nuk është e mundur të fitosh as përafërsisht aq para sa fiton me biznesin e televizionit tradicional.

Njëkohësisht, shpenzimet për prodhime të reja televizive shtohen, sepse shikuesit ka kohë që janë mësuar me seritë e kushtueshme të Netflix dhe Co.

Për stacionet televizive publike në Gjermani veç kësaj shtohet presioni i justifikimit. Shikuesit me disa abone mujore, të cilat mund t’i ndërpresin kur duan, do të reagojnë gjithnjë e më shumë me alergji ndaj një takse për radion dhe televizionin, që kushton gati dyfishin dhe që nuk ke mundësi ta ndërpresësh.

Dega ekonomike televizive pra do të tronditet mirë, edhe nga firmat, të cilat me shërbimet streaming forcojnë para së gjithash biznesin e tyre bazë – shitjen e celularëve inteligjentë, kompjuterave tabaka ose portativë te Apple, blerjen online te Amazon.

Nga radio gjermane DW