Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj sqaroi në mbrëmje përmes një postimi në rrjete sociale përplasjen mes deklaratave që ai dhe Kryeministri Rama bënë sot lidhur me operacionin antidrogë në Portin e Durrësit.
Pak para komunikimit që kreu i Policisë së Shtetit bëri për mediat lidhur me aksionin në Durrës, ministri Xhafaj tha përmes një postimi në Twitter se operacioni u krye në bashkëpunim me agjencitë e huaja.
“Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës! Hetimi vazhdon! Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron”, u shpreh Xhafaj.
Ndërkohë, Kryeministri Rama reagoi pas komunikimit për mediat të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, duke thënë se “fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore”.
Pas bujës mediatike që këto dy deklarata nxitën për shkak të moskoordinimit mes stafeve të Kryeministrit Rama dhe ministrit Xhafaj, ky i fundit u detyrua të reagonte sërish duke sqaruar publikun se “identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta”.
Reagimi i fundit i Ministrit Xhafaj
Një super operacion i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore.
Falenderim dhe mirënjohje të thellë për punonjësit e policisë te përfshirë në këtë operacion, si dhe për përfaqësuesit e agjencive të tjera qeveritare ligj zbatuese që u bënë pjesë e tij. Inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë.
Roli udhëheqës dhe ekzekutues i Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni është KONFIRMIM i aftësisë zbuluese dhe investiguese në rritje të Policisë së Shtetit dhe vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar.
Keqardhje e madhe jo vetëm si Ministër, por edhe si qytetar i këtij vendi, për reagimet komplet absurde e kundër produktive, si dhe çdo për trillim të papërgjegjshëm të atyre që kurrë nuk thanë një fjalë të mirë për policinë.
Kam shpresë se Prokuroria, e cila tani ka kompetencën e hetimit do të jetë në lartësinë e detyrës për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje.
Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta.
Faleminderit qytetarëve dhe partnerëve për inkurajimin dhe mbështetjen që po i japin Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për çfarë ne jemi duke bërë. Mirënjohje për gjithçka!
Komisioneri Publik që duhet të bënte vettingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve është vetë nën hetim
Heral Saraçi, i zgjedhur me 11 vota pro për Komisionin Publik do të paraqitet në datën 5 mars në seancë dëgjimore për shqyrtimin e një procedimi disiplinor të kërkuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Gjyqtarja Natasha Mulaj ka depozituar dy ditë më parë për shqyrtim pranë Komisionit Disiplinor raportin mbi rezultatet e hetimit për shkelje disiplinore ndaj Saraçit.
Komisioneri Publik është një institucion i ngritur si pjesë e proçesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së vetingut.
Komisioneri Publik rivlerëson deklaratat e subjekteve, si dhe bashkëpunon me institucionet vendase dhe të hauja për të konfirmuar vërtetësinë e deklarimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të marrë nën hetim.
Njoftimi i Kolegjit të Apelimit:
Ditën e hënë, datë 5 mars 2018, ora 12.00 do të zhvillohet seanca dëgjimore për shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj Komisionerit Publik z. Heral Saraçi.
Ky procedim disiplinor ka filluar me kërkesë të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Lidhur me këtë procedim disiplinor, gjyqtari hetues zj. Natasha Mulaj ka depozituar në datë 26 shkurt 2018, për shqyrtim pranë Komisionit Disiplinor, Raportin mbi rezultatet e hetimit për shkelje disiplinore.
Komisioni Disiplinor përbëhet nga:
Z. Sokol Çomo, Gjyqtar (Kryesues)
Zj. Albana Shtylla, Gjyqtare (Anëtare)
Z. Ardian Hajdari, Gjyqtar (Anëtar)
Bazuar në nenin 17, pika 6 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” Komisioni Disiplinor, brenda 15 ditëve nga data e marrjes së Raportit mbi rezultatet e hetimit, e cila është data 26 shkurt 2018, duhet të marrë një vendim përfundimtar.
BE dhe SHBA reagojnë për operacionin ku u sekuestruan 613 kg kokainë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe (DEA) përgëzojnë Policinë Shqiptare të Shtetit për kapjen e 613 kilogramë kokainë kolumbiane në Durrës. “Kjo është sasia më e madhe e kokainës apo heroinës që është kapur prej vitesh. Është një tregues pozitiv i vigjilencës së policisë, por edhe një shenjë shqetësuese se trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera ështe në rritje.” tha në një deklaratë për mediat ambasada e SHBA.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar trafikimin e drogave në Shqipëri dhe për të arrestuar personat përgjegjës”, thuhet më tej në deklaratë.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë përgëzoi më herët Doganat dhe Policinë e Shtetit duke e cilësuar këtë aksion si një tjetër hap në luftën kundër krimit të organizuar.
“Kriminelët nuk mund të dalin fitimtarë mbi ligjin. Shteti duhet të jetë vigjilent dhe i fortë kundër grupeve të krimit të organizuar që përpiqen të rrisin trafikun e drogës”, shkruan në Twitter delegacioni i BE-së.
Fatos Kongoli në gjendje të rëndë shëndetësore
Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli, një nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë dhe krijues i dhjetëra librave, ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore dhe ka nevojë të menjëhershme për dhurim gjaku.
Ish deputeti socialist dhe administrator i shtëpisë botuese “Toena”, Fatmir Toçi bëri një apel për të gjithë ata që janë të gatshëm për të ndihmuar shkrimtarin e mirënjohur, Fatos Kongoli.
Postimi në rrjetin social Facebook i Fatmir Toçit
FATOS KONGOLI ËSHTË I SËMURË…
Fatos Kongoli, ndër shkrimtarët më të dashur dhe më përfaqësuesi i periudhës 30 – vjeçare së tranzicionit shqiptar ndodhet prej kohësh në spital në gjendje të rëndë.
Në dy muajt e fundit i janë bërë dy ndërhyrje kirurgjikale në aparatin tretës në deuden dhe është i klasifikuar më diagnozën “Ca – rerum”. Falënderojmë mjekët dhe personelin e repartit të Kirurgjisë në QSUT për kujdesin e përkushtimin, në mënyrë të veçantë prof. dr. Edmond Çeliku.
Fatos Kongoli ndodhet në peiudhën postoperatore në QSUT “Nënë Tereza” dhe ka nevojë për dhurim gjaku…
Fatos Kongoli na ka dhuruar ne dhe letërsisë shqipe 15 vepra letrare të çmuara, të ribotuara disa herë e të përkthyera në shumë gjuhë të botës, duke e bërë Shqipërinë edhe më të njohur e më të vlerësuar në mbarë botën kulturore.
Me qindra e mijëra janë lexuesit dhe ithtarët e tij që kanë gjetur te vepra e Kongolit realitetin e kohës, qetësinë e munguar dhe dashurinë për njeriun.
Kongoli na ka dhënë shumë dashuri në kohë të vështira, sot ka nevojë për mbështetjen tonë dhe, ndoshta, për një vëmendje më të madhe për një trajtim më të specializuar nga drejtuesit e institucioneve shtetërore
Bushati në Komisionin e Jashtëm: Nuk ka marrëveshje me Greqinë
U zhvillua sot seanca e dytë dëgjimore me ministrin Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, të thirrur nga demokratët për t’u informuar lidhur me negocimin për një marrëveshje të re me Greqinë lidhur me kufirin detar.
“Presidentit i është bërë kërkesa, nuk mund ta tregoj këtu korrespondencën mes meje dhe tij. Për grupin negociator, në asnjë vend të botës nuk ka ekspertë nga opozita, lista vjen në bazë të përfaqësimit institucional. Nuk ka një marrëveshje.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati pranoi gjithsesi para deputetëve në Komisionin e Jshtëm se shteti Grek kishte përdorur ligjin e tij të luftës, si kartë negocimi.
“Greqia ka kërkuar ta shfyqizojë ligjin e luftës në forma që për ne nuk ishin të plota”, tha ministri Bushati.
Përkundër deklaratave të opozitës, Bushati tha se “Kotzias, në 2 intervista të tij thotë se nuk ka marrëveshje. Unë nuk e di çfarë do të thotë marrëveshje politike, unë di marrëveshje të së drejtës ndërkombëtare”.
Ministri paraqiti një çertifikatë personeli e lëshuar nga Republika e Shqipërisë për Artur Meçollarin, por kjo nuk i bindi deputetët e opozitës që vijojnë ta konsiderojnë të papërshtatshëm për të qënë pjesë e grupit negociator, nisur nga pushimi nga puna në vitin 2012 nga Forcat e Armatosura. Opozita në Komisionin e Jashtëm kërkoi një seancë të veçantë dëgjimore me ministren Xhaçka për të informuar lidhur me Artur Meçollarin.
Një seancë dëgjimore edhe me presidentin Ilir Meta për marrëveshjen me detin kërkoi demokrati Tritan Shehu, i cili duket se ka marrë konfirmim pozitiv nga zëdhënësi i kreut të shtetit, Tedi Blushi. Paraqitja e Presidentit të Republikës përballë deputetëve në komision është një precedent në vend. Kjo pasi asnjë President në detyrë nuk është paraqitur ndonjëherë më parë për t’u përgjigjur përballë një komisioni parlamentar.
Konferenca për shtyp e Thaçit dhe Juncker
Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Junker, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini dhe Komisioneri Johanes Hahn ndodhen në Prishtinë në kuadër të një vizite zyrtare, ku do të takohen me krerët më të lartë të vendit.
Pas takimit në Presidencë, kreu i Komisionit Europian, Jean Claude Junker, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme në BE, Federicca Mogherini dhe kreu i shtetit kosovar, Hashim Thaci mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Presidenti Thaçi tha se prania e delegacionit të lartë europian në vend është një dëshmi për mbështetjen që Bashkimi Europian ka për Kosovën dhe vendet e Ballkanit perëndimor.
“Ne sot së bashku me Veselin, Haradinajn, Pacollin dhe Jevtiçin realizuam një takim shumë efektiv. Në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, jemi krenarë që proçesi është bërë sipas vlerave të BE-së. Argumenti më i fuqishëm i parnteritetit tonë është marrëveshja për MSA-në. Falënderoj të gjitha institucionet e BE-së që kanë kuptuar mirë rëndësinë e zhvillimit të shteteve të Ballkanit perëndimor”.
“Lidhur me dialogun me Serbinë, e falënderoj Mogherinin për durimin dhe vendosmërinë e saj në këtë proces. Dialogu është proçes shumë i vështirë, por mbetet rruga e vetme mes Kosovës e Serbisë”, tha Thaçi. Kreu i shtetit, Hashim Thaçi theksoi gjithashtu se do të merren masat e duhura që lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë drejt BE-së të mos keqpërdoret.
Ndërsa Junker nga ana e tij ka përsëritur dhe njëherë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë pas miratimit të demarkacionit me Malin e Zi. Kreu i komisionit europian i bëri thirrje Listës Serbe që të votojë demarkacionin pasi nga kjo, do të përfitojnë si qytetarët kosovarë ashtu edhe ata serbë.
Junker, Mogherini dhe Hahn kanë mbërritur në Kosovë
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, bashkë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe komisionerin Johanes Hahn, kanë mbërritur në Prishtinë.
Delegacioni i lartë i BE janë aktualisht duke zhvilluar takime me krerët e shtetit, presidentin Thaçi, kryeparlamentarin Veseli dhe me kryeministrin Haradinaj.
Për arritjen e tyre në Kosovë ka shkruar vetë Johannes Hahn në Twitter.
“Nevoja për të sjellë rajonin e tërë përpara, bazuar në meritat individuale”, ka shkruar Hahn.
Sipas yjeve botëror, ndërhyrja që të zbukuron të gjithë fytyrën
Nëse e keni vënë re, shumë pak njerëz të njohur kanë qepalla të rëna dhe kjo s’është punë fati. Kirurgjia në qepallë është kudo. Qëllimi praktik i ndërhyrjes që quhet blepharoplasty është eleminimi i lëkurës së tepërt që mund të pengojë shikimin. Qëllimi kozmetik është një sy më i ri, më i hapur. Procedura nuk është shumë impenjuese. Pritet pak lëkurë, mblidhet pak më lart dhe shtohet pak botox. Rezultati është minimal, por për gjithë diferencën.
Disa nga personazhet e famshëm që i janë nënshtruar kësaj procedure po i listojmë më poshtë, për të parë efektin në jetën reale.
Ariana Grande
Selena Gomez
Kylie Janner
Policia jep detaje për ngjarjen me 3 të plagosur në Vlorë
Policia e Vlorës tha se dy grupe personash, të cilët lëviznin me 2 automjete, pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të cilat nuk bëhen të ditura për arsye hetimore, kanë qëlluar mbi njëri tjetrin me armë zjarri.
Policia tha se ka bërë arrestimin e shtetasve Gazmir Canaj, 27 vjeç, Taulant Beqiraj, 27 vjeç dhe Eris Llanaj, 27 vjeç, të gjithë nga Vlora. Ndërkohë është bërë shpallja në kërkim e shtetasve me iniciale E.M. dhe P.A..
Policia e Vlorës tha se nga kqyrja e kamerave ka rezultuar se Gazmir Canaj sëbashku me shtetasit E.M., dhe P.A., kanë shtënë me armë zjarri drejt Taulant Beqiraj dhe Eris Llanaj, të cilët më pas janë kundërpërgjigjur.
Policia ka sekuestruar në vendngjarje një armë zjarri tip pistoletë, 10 gëzhoja dhe 2 automjete, ndërsa vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë Vlorë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
Ministri Ahmetaj nënshkruan Memorandum bashkëpunimi për Çështjet Doganore në Londër
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë vizitës së tij dy ditore në Londër, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Investimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor organizuar nga BERZH, ka zhvilluar gjithashtu një takim zyrtar me përfaqësues të Autoritetit të Doganave dhe Tatimeve të Mbretërisë së Bashkuar, Her Majesty Revenues and Cuatoms, znj. Penny Ciniewicz, Drejtore e Përgjithshme e Ligj-zbatimit të Doganave dhe Tatimeve Britanike, znj. Vicky Homsy, drejtore e inteligjencës, z. Andrew Pavlinic, drejtor i inteligjencës ndërkombëtare dhe përfaqësues të tjerë, përfshirë përfaqësues të Ambasadës Britanike në Tiranë.
Së fundmi, Shqipëria është bërë pjesë e projektit ndërkombëtar UK border force project Hunter, i cili ka për qëllim të ndërtojë në nivel ndërkombëtar aftësimin në grumbullimin, analizimin dhe shenjëstrimin e të dhënave për mallra dhe pasagjerë. Në kuadër të këtij projekti, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Tiranë, është vendosur z. Steven Whitting, oficer kontakti i UK Border Force.
Ministri e njohu palën britanike me nismat më të fundit të ndërmarra nga doganat, përfshirë vlerësimin në qendër tashmë tërësisht online dhe transparent. “Shumë shpejt do të mundësohet vlerësimi online edhe për eksportuesit, ndërsa brenda shtatorit do të mundësojmë gjurmimin në kohë reale të trafikut komercial”, – tha Ministri.
“Tashmë kemi një sistem shumë të mirë të mbledhjes së të dhënave, por kemi nevojë për ndihmën dhe asistencën tuaj për të thelluar analizën e këtyre të dhënave. Integrimi me databazën e tatimeve është një sfidë që kemi. Ne po punojmë për të krijuar një platformë të përbashkët që do integrojë njësitë e riskut dhe ato të inteligjencës, mes dy institucioneve” – tha Ministri Ahmetaj.
Nga ana e saj, znj. Homsy tha se për doganat dhe tatimet është thelbësore integrimi i të dhënave të riskut dhe përdorimi inteligjent i tyre. Pala britanike afroi mbështetjen për trajnimin e stafit shqiptar në këtë drejtim dhe ngritjen e kapaciteteve.
Një tjetër pikë diskutimi ishte roli i rëndësishëm i doganave në lehtësimin e tregtisë mes vendeve, edhe në kuadër të avancimit të Procesit të Berlinit.
Në fund të takimit, znj. Belinda Ikonomi dhe znj. Penny Ciniewicz nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit.