Ministri Xhafaj sqaron përplasjen me deklaratat e Kryeministrit Rama

566

Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj sqaroi në mbrëmje përmes një postimi në rrjete sociale përplasjen mes deklaratave që ai dhe Kryeministri Rama bënë sot lidhur me operacionin antidrogë në Portin e Durrësit.
Pak para komunikimit që kreu i Policisë së Shtetit bëri për mediat lidhur me aksionin në Durrës, ministri Xhafaj tha përmes një postimi në Twitter se operacioni u krye në bashkëpunim me agjencitë e huaja.
“Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës! Hetimi vazhdon! Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron”, u shpreh Xhafaj.
Ndërkohë, Kryeministri Rama reagoi pas komunikimit për mediat të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, duke thënë se “fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore”.
Pas bujës mediatike që këto dy deklarata nxitën për shkak të moskoordinimit mes stafeve të Kryeministrit Rama dhe ministrit Xhafaj, ky i fundit u detyrua të reagonte sërish duke sqaruar publikun se “identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta”.
Reagimi i fundit i Ministrit Xhafaj
Një super operacion i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore.
Falenderim dhe mirënjohje të thellë për punonjësit e policisë te përfshirë në këtë operacion, si dhe për përfaqësuesit e agjencive të tjera qeveritare ligj zbatuese që u bënë pjesë e tij. Inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë.
Roli udhëheqës dhe ekzekutues i Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni është KONFIRMIM i aftësisë zbuluese dhe investiguese në rritje të Policisë së Shtetit dhe vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar.
Keqardhje e madhe jo vetëm si Ministër, por edhe si qytetar i këtij vendi, për reagimet komplet absurde e kundër produktive, si dhe çdo për trillim të papërgjegjshëm të atyre që kurrë nuk thanë një fjalë të mirë për policinë.
Kam shpresë se Prokuroria, e cila tani ka kompetencën e hetimit do të jetë në lartësinë e detyrës për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje.
Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta.
Faleminderit qytetarëve dhe partnerëve për inkurajimin dhe mbështetjen që po i japin Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për çfarë ne jemi duke bërë. Mirënjohje për gjithçka!