Do përfshihet në politikë? Flor Binaj tregon ‘kurthin’ që i ngriti qeveria protestës para Kryeministrisë dhe planet e tij: Unë do jem i pari që do votoj për një parti…

122

Aktori i njohur i humorit shqiptar, Florjan Binaj komentoi sot pjesëmarrjen e tij në protestën e organizuar para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.

“Protesta u zbeh se ishte një protestë e shëndetshme, duke qenë se të gjithë ishin për një padrejtësi që po i bëhej këtij vendi. U bë aq e madhe protesta, sa u bë një pasqyrë që qeveria shikonte me të vërtetë fytyrën e saj, gabimet e saj dhe shëmtinë e saj. Kështu dëshira e qeverisë ishte ta zvogëlonte protestën dhe u përdorën mënyra nga më të ndryshme.

U përhapën llafe që jemi të Soros-it, iku një pjesë e protestuesve, jemi të Iluminat-it iku dhe një pjesë e protestuesve, na paguan Rusia iku dhe një pjesë tjetër. Madje lajmi që paguhemi nga Rusia që tha kryeministri ishte në çdo televizion dhe ishte me të vërtetë për të ardhur keq. Futi patronazhistët në sulm, dhe dy ditët e fundit hynë dhe nja dy gra në protestë që po i kapnin njerëzit dhe po i nxirrnin. Këto mënyra se si reagoi qeveria ndaj protestës tregojnë sa gabim ishte ajo”, komentoi Binaj.

Për moderatoren Çenkuela Hasa aktori zbuloi nëse pjesëmarrja në protestë apo largimi nga ‘Portokallia’ kishte lidhje me një angazhim të mundshëm në politikë.

“Janë 32 vjet që janë 4 figura në politikë, unë do jem i pari që do votoj një parti të re që do ketë të rinj dhe të reja, por jo të ketë krijesat që kanë krijuar këta. Një pjesë i çonte i bënte lavazh special truri në Jalë, një pjesë tjetër bënte këto forumet, pra jo krijesat e tyre”- u shpreh aktori Florjan Binaj duke përjashtuar përfshirjen në partitë aktuale në Shqipëri.