Raport për drogën në Shqipëri: Vendi kryesor në Europë i origjinës së kanabisit, grupet kriminale shqiptare të përhapura në Europë

117

Një raport i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për drogat dhe krimin, analizon me detaje krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor. Në raport theksohet se Shqipëria është vendi kryesor në Europë i origjinës së kanabisit për 2014-2018, ndërkohë që grupet kriminale shqiptare tashmë janë përhapur në gjithë Europën, kryesisht në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës së Jugut.

Ndër të tjera raporti thekson se dënimet më të shumta janë në kultivimin e narkotikëve, më pak në pastrim parash, ndërsa konstaton se nuk ka shumë dënime për grupet e organizuara kriminale. Sipas raportit, bazuar në intervista, trafiku i drogës dhe prodhimi duket se shpesh janë të lidhura me krimin e organizuar, megjithatë pjesëmarrja në krimin e organizuar ka nivele shumë të ulëta dënimi në Shqipëri.

“Kjo tregon nevojë për të shqyrtuar më me hollësi se në cilën fazë rastet po dështojnë si dhe të vazhdohet me analizimin e arsyeve për këto dështime”, thuhet në raport. Sipas këtij raporti, krimi i organizuar ndikohet dhe nga niveli i lartë i korrupsionit, ndërsa shprehet skeptik për ecurinë e procesit të vetingut. Ryshfeti, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë janë disa nga mjetet që lehtësojnë krimin e organizuar.

“Korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri, veçanërisht brenda policisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Qeveria prezantoi reformat në drejtësi dhe ndryshimet në ligjet për personelin e policisë dhe vetting-un. Sidoqoftë, pavarësisht arrestimeve dhe ndjekjeve ekzistuese të zyrtarëve publikë për marrje ryshfeti, nuk kishte asnjë dënim gjatë periudhës së vëzhguar”, thuhet në raport. Sakaq, në raport theksohet se deri më tani, shumica e veprimtarive kriminale të regjistruara të përfshira në këtë analizë në Shqipëri kanë të bëjnë me prodhimin vendas të kanabisit, kryesisht bar kanabisi, si dhe trafikun e drogës.

Në këtë rast, Shqipëria vepron kryesisht si një vend tranzit, veçanërisht për trafikimin e heroinës përgjatë rrugës ballkanike, përmes Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut në Itali dhe tregjeve të tjera në Europën Perëndimore. Aktivitetet e grupeve shqiptare të krimit të organizuar nuk janë të kufizuara në Europën kontinentale. Grupet shqiptare të krimit të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, kanë vendosur kontroll dhe ndikim në të gjithë vendin në tregun e trafikut të drogës atje, veçanërisht atë të kokainës.