Për policinë që po përballet me “protestën”

140

Nga Lutfi Dervishi

Në 30 vjet pluralizëm, manifestimi i ditëve të fundit në Tiranë është nga më paqësorët, nga më civilët, e megjithatë numri i të ndaluarve është më i madh se në protesta të tjera. Për manifestuesit e ndaluar nga nuk ka pasur më vend në komisariatet e kryeqytetit dhe kanë përfunduar në Elbasan!

Pjesëmarrësit në manifestim nuk janë paguar për të dalë përballë kryeministrisë siç paguheshin dikur protestuesit, nuk janë sjellë me autobusë nga rrethet, siç silleshin dikur, nuk janë detyruar nga shefat në vendin e punës të dalin në protestë, nuk janë furnizuar me hunj siç furnizoheshin për të goditur policinë, nuk janë furnizuar me “molotov” për t’u përdorur ndaj policisë.

Nëse politika është verbuar dhe nuk i sheh, policia duhet ta ketë informacionin në kohë reale se ata që kanë dalë në shesh nuk janë protestuesit e partive, nuk vijnë nga periferitë e Tiranës apo të vendit, janë njerëz që duan të përcjellin paqësisht një mesazh.

Atëherë pse kaq këto ndalime nga policia për një …manifestim?!

Po përdor fjalën manifestim se të thuash protestë është një kompliment i pamerituar. Policia e ka kujtesën e freskët se çfarë do të thotë të përballesh me protestat me frymëzim politik.

Dhe prapë pyetja është: si qëllon që të ndalohen, dhunohen vajza gazetare dhe juriste në një manifestim që më shumë i ngjan një ekskursioni për ditën e verës?

I vetmi arsyetim që po gjen gjykata është se disa të rinj kanë bllokuar rrugët (për disa minuta). Kur deputetët e PS në 2011-ën, në mënyrë të organizuar bllokonin akset kombëtare në gjithë Shqipërinë, për më se dy orë, si revoltë ndaj vendimit të KQZ për betejën se kush do e drejtonte Bashkinë e Tiranë, policia e ‘asaj kohe” e trajtoi çështjen si “kundërvajtje civile” dhe nuk e trajtoi si çështje penale. Askush nuk i preku protestuesit që përveç bllokimit të rrugëve dogjën edhe goma për të krijuar skenat që “këtu po digjet vendi”.

Mbi 90% e manifestuesve para kryeministrisë, as i shohin dhe as i dëgjojnë oratorët. Janë në shesh për të përçuar një mesazh: nuk shtyhet më dhe duhet të lëvizë qeveria. Më në fund kryeministri po lëviz dhe ka hequr nga fjalori shpjegimet magjike që “çmimet i cakton tregu”, “ka edhe më keq”, “po bëjmë të pamundurën” etj. etj.( Kryeministri ka shpallur paketën e rezistencës, po kjo paketë i ngjan rezistencës me një fije që digjet menjëherë sapo vendos spinën! Në “luftë” ka spekulantë, dhe çmimet e artikujve bazë më shumë se inflacioni dhe lufta i ka ngritur paniku dhe spekulimi. Ditën që kryeministri të kuptojë këtë policia nuk do të ketë më punë (se manifestuesit do të kthehen në shtëpi). 

Deri sa të vijë kjo ditë policia do të jetë në krye të detyrës në Tiranë dhe kudo ku manifestohet. Është fakt se nuk kemi parë dhunë nga njerëzit. Për fat të keq për ndalimin e manifestuesve sikur të mos mjaftonin qindra policë me uniformë janë thirrur në ndihmë edhe “policët civilë”. Është pozitive që ditën e fundit që “kapuçonët” nuk u panë më të kryenin veprime të kundërligjshme, por pyetja është: pse policia ndalon “protestuesit” paqësorë? Pse duhet të qëndrojnë 3-4 ditë në komisariat deri sa t’i lirojë gjykata?

Manifestimi është prioriteti i policisë?

Cilët janë prioritet e policisë sot? Ajo çfarë është e dukshme duken prioritete të gabuara.

Asistencë operacionale (me gjithë strukturat e veta deri edhe te RENEA) për të prishur shtëpitë.

Represion ndaj çdo proteste. (Çfarë kontrasti kur kujton skenën kur një grup parlamentar u bë gardh para policisë dhe IKMT për pronën e një deputeti)

Kapja e transportuesve të klandestinëve.

Lotaritë dhe bastet sportive.

Shpartallimi i qendrave të masazhit për prostitucion.

Në fakt ajo çfarë lipset dhe çfarë pret publiku janë prioritete të tjera:

Luftë ndaj trafikut të drogës.

Luftë ndaj pastrimit të parave të krimit.

Goditje të krimit të organizuar.

Ndalimet e shumta dhe dhuna sporadike (raste të izoluara, por shqetësuese) e ushtruar nga policia dëshmon që policia sot në vitin 2022 e ka të vështirë të bëjë dallimin mes ekskursionit, manifestimit, protestës, trazirave dhe revoltës. A mos vallë është e nervozuar se nuk i është dhënë mundësia për të përdorur gaz lotsjellës?!

Dhe po t’i thuash policisë dhe drejtuesve të saj se në vendet fqinjë si Italia apo Franca policët dalin vetë dhe organizojnë protesta për të drejtat e tyre, do të të konsiderojnë njeri që duhesh mbyllur në mos në komisariat, në spital!