Hapet spitali Covid 4, shtrohen pacientët e parë

250

Shtimi i ndjeshëm i numrave të të infektuarve me koronavirus ka detyruar ministrinë e Shëndetësisë që të hapë Spitalin Covid 4.

Ai është një spital mbështetës i QSUT-së dhe ka 100 shtretër. Gjatë ditës së hënë aty janë dërguar pacientët e parë të cilët janë marrë nga spitalet Covid 1 dhe covid 3. Ata janë pacientë që e kanë kaluar gjendjen e vështirë, por duhet të qëndrojnë në spital për të marrë kurim për pasojat që ka lënë sëmundja.

Spitali Covid 4 është një tjetërsim i ambienteve të ish-universitetit Kristal në autostradën Tiranë – Durrës. Ministria e Shëndetësisë ka në plan që nëse mbushet edhe ky spital të hapen fillimisht edhe 4 spitale rajonale dhe më pas edhe 6 të tjerë në rrethe.

Covid 4 u hap në të njëjtën ditë kur nga Spitali “Shefqet Ndroqi” u shënua vetëvrasja e 5-të e pacientëve. Në hapjen e spitalit ishte edhe ministrja Manastirliu, por ajo nuk bëri asnjë deklaratë për këto ngjarje.