Altin Çoku, një personazh i njohur i rrjetit social Tik Tok ka rënë në prangat e policisë pas publikimit të disa fotove intime të një 27-vjeçareje, e cila në gjendje të rënduar psikologjike ka kryer vetëvrasje duke u hedhur nga tarraca e katit të 4 të një ndërtesë.
27-vjeçarja kishte pasur vetëm një takim me 39-vjeçarin, i cili i ka bërë foto intime dhe i bënte presion. Gjatë kohës së njohjes mes tyre ai i ka bërë foto intime dhe më pas i ka publikuar në rrejtin social TikTok.
Vajza nuk e ka përballuar situatën dhe ka ndërmarrë veprimin ekstrem duke u vëtëhedhur nga kati i katërt. Shërbimet e komisariatit nr.5 pas dëshmive të familjarëve të vajzës dhe këqyrjes që telefonit të saj kanë zbardhur ngjarjen.
Por dyshohet se nuk ishte rasti i parë që 39-vjeçari Çoku i bënte presione të tilla ndaj vajzave. Policia po verifikon edhe një rast tjetër në Laç, ku dyshohet se 39-vjeçari ka shantazhuar me foto intime një vajzë tjetër.
Njoftimi i policisë
Kamëz I publikoi një foto intime një 27-vjeçareje, e cila për këtë shkak dyshohet se u vetëhodh nga tarraca e katit të katërt dhe për pasojë humbi jetën, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: – A. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.