Devijimi i rrugës/ Banorët e Rinasit sërish në protestë. Kryeplaku i përgjigjet ‘dhëmbë për dhëmbë’ drejtorit të ARRSH-së dhe tregon veprimin e radhës: Rruga dytësore nuk është funksionale! Nuk duam sherre, por…

431

Vendimi i Autoritetit Rrugor për të kthyer rrugën e Rinasit vetëm me një sens lëvizje, vijon të kundërshtohet nga banorët e zonës. Për të tretën ditë me radhë banorët e Rinasit kanë bllokuar kalimin e automjeteve në aksin që të çon në aeroport, duke shprehur indinjatën e tyre në lidhje me pamundësinë për tëçuar fëmijët në shkollë dhe për të shkuar në punë.

Përmes një prononcimi për media, kryeplaku i fshatit iu përgjigj drejtorit të ARRSH, evis Berberi,  i cili kërkoi nga qytetarët përdorimin e rrugëve dytësore deri në gjetjen e një zgjidhjeje në fund të verës.

Kryeplaku u shpreh se rruga alternative nuk është funksionale, pasi ndodhet 2 km larg fshatit dhe nuk mund t’u hyjë në punë.

Me zyrtarët nuk kemi patur komunikim, por vetëm i kemi ndjekur në media që ka thënë se ka një rrugë alternative. Ne nuk kërkojmë me ik përmes rrugës alternative, ne kërkojmë të shkojmë në shkollë, të shkojmë në punë.

Kjo rrugë alternative nuk zgjidh asgjë, po të kem mundësi të shkoj deri rruga alternative është i zgjidhur problem. Skaji i fshtit është dy km nga rruga alternative. Këtu nuk preken vetëm banorët e fshatit, por të gjithë ata që vijnë nga veriu. Ne jemi të penalizuar komplet, nuk çojmë dot fëmijët në shkollë, nuk shkojmë dot te ambulancë, nuk shkojmë dot tek toka e mbjellur.

Ne nuk jemi popull që dua sherre, ne duam thjesht me shku në punë”, tha kryeplaku.

Për shkak të situatës së krijuar, reagoi edhe kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi. Në një komunikim për mediat, Berberi e konsideroi vendimin një zgjidhje provizore, që është marrë për të mos dëmtuar turistët.

Kjo është një zgjidhje provizore. Jemi duke i dhënë një zgjidhje që të kemi një rrugë tjetër që të na çojë në aeroport. Shpresoj që brenda muajit korrik të kemi në përfundim këtë segment. Ky vendim është një zgjidhje teknike për të mos dëmtuar ata që do na sjellin të ardhura shtesë. Banorët e zonës kanë problemet e tyre por kanë një zgjidhje. Mund të kryejnë një lëvizje me 2-3 km me tepër”, u shpreh Berberi.

Ndërsa hoqi çdo mundësi për zgjerimin e aksit me katër korsi, siç edhe u propozua nga banorët, Berberi tha se deri në fund të sezonit veror është menduar që zgjidhje përfundimtare të jetë krijimi i një rruge të re në zonën e ishrepartit ushtarak që të nxjerr në aeroportin e Rinasit.

Kjo situatë është marrë masa duke qenë se jemi para sezonit. Kemi fluks të shtuar. Janë shtuar linjat që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria. Kemi pritshmëri që të shtohen me 30 për qind me tepër fluksi në këtë zonë. Kemi marrë përsipër që në fund të sezonit veror të kemi një zgjidhje përfundimtare që të marrin fund edhe problemet për banorët. Plani nuk është zgjerimi i rrugës. Një nga opsionet është krijimi i një rruge të re nga ish-reparti ushtarak që del direkt në Aeroport. Brenda sezonit të verës mbaron edhe kjo rrugë. Ky sezon veror kalon me problematika të vogla për banorët e zonës. Kujtdo i ndodh që në një moment të caktuar na ndryshon mënyra e jetesës. Duke parë të mirën e përbashkët dhe të mirën që do na sjellin turistët do ishte mirë që këta banorë të na kuptonin. Nuk janë pa asnjë mundësi qarkullimi këta banorë. Kanë dy tre rrugica në lagje për të funksionuar brenda për brenda”, tha kreu i ARRSH-së.

Më tej, ai parashtroi edhe rrugët dytësore që mund të aksesohen nga banorët e zonës për të lëvizur gjatë kësaj periudhe.

Me ndryshimin e sensit të lëvizjes nga Kashari në drejtim të Rinasit dhe nga Rinasi në Ahmetaq kem bërë një zgjidhje të mirë për qytetarët që përdorin aeroportin. Ai është porta hyrëse dhe dalëse e qytetarëve nga Shqipëria, nga ajri. Kemi marrë një zgjidhje për një sens lëvizje me një drejtim për të mos vonuar këdo që përdor aeroportin. Kemi pasur disa problematika për banorët e asaj zone. Segmenti në drejtim të Ahmetaqit ka një sens lëvizje nga rreth rrotullimi në Ahmetaq, por ka disa rrugica që mund të përdoren nga komuniteti. Një nga rastet është rruga e xhamisë që mund të përdoret si unazë e vogël. Kemi një segment tjetër që lidh zonën e Ahmetaq-Prezës me fshatin e Rinasit nga rruga Fushë Krujë-Vorë dhe kemi edhe rrugën në drejtim të Kamzës ku mund të përdoret rruga e Valiasit”, tha Berberi.