Basha apel qytetarëve: Shmagni dhunën, Ramës po i vjen fundi!

462

Vetëm disa orë para zhvillimit të zgjedhjeve të 30 qershorit kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë nga selia blu, ku ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bëhen pre e dhunës, dhuna sipas tij i intereson vetëm Edi Ramës.

Ndër të tjera në deklaratën e tij për mediat kryedemokrati ka ripërsëritur se Shqipëria nuk ka zgjedhje të dielën.

Kreu i PD-së është shprehur se dhuna nuk do të prodhonte përfitime politike, por do të sillte një ndjenjë të rremë të triumfit të çastit dhe do të linte plagë të hapura e probleme të pazgjidhura.

“Nesër në Shqipëri nuk ka zgjedhje. Zgjedhjet janë mekanizmi se si njerëzit vendosin për qeverisjen që duan, por nesër njerëzit nuk kanë asnjë zgjedhje. Zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të lirë të njerëzve. por nesër nuk do të ketë liri dhe nuk do të ketë shprehje vullneti. Zgjedhjet janë mekanizëm kushtetues dhe ligjor, por nesër do të shkelet Kushtetuta dhe ligji në një proces antikushtetues dhe thellësisht kriminal. Unë e di që shumë prej jush kanë dashur dhe kanë pritur që nesër të mos kishte as votime farsë, të mos kishte asgjë. Por e vetmja mënyrë për ta arritur këtë, o të ishte mënyra e dhunshme, e cila do të shkaktonte vëllavrasje dhe humbje njerëzore e plagë shoqërore. Dhuna nuk do të prodhonte as përfitime politike. Ajo thjesht do të sillte një ndjenjë të rremë të triumfit të çastit dhe do të linte plagë të hapura e probleme të pazgjidhura, Unë dhe demokratët nuk besojmë tek rruga e dhunës! Ndaj sot dua t’i them cdo demokrati dhe qytetari që është bashkuar në përpjekjet tona

Jini të gjithë krenarë, sepse i kemi bërë një shërbim të madh Shqipërisë duke mos rënë pre e dhunës së orkestruar nga Edi Rama! Unë jam krenar me dinjitetin, qytetarinë dhe kurajon tuaj! Falë tyre, ky regjim është plagosur për vdekje dhe do të rrëzohet shumë shpejt. Unë e di, se ka shumë njerëz që mendojnë se me autokratë si Edi Rama, Dhuna është i vetmi mjet për ta hequr, se Edi Rama nuk kupton asnjë gjuhë tjetër, veç asaj të dhunës. Këtë opinion ma kanë shprehur shumë anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike. Ma kanë shprehur shumë qytetarë, analistë politikë e të tjerë, por unë nuk besoj se dhuna është zgjidhja. Unë besoj se forca jonë qendron tek drejtësia e asaj që kërkojmë, qëndron tek këmbëngulja, durimi dhe kurajo jonë. Asnjë rezultat politik, asnjë pushtet politik që del nga dhuna, nuk ka sjellë kurrë asgjë të mirë për popujt dhe për qeverisjet e tyre. Dhuna prodhon ndërrime mekanike të pushtetit, pa bërë asnjë pastrim dhe transformim. Dhuna krijon përligje kriminale tek ata që vinë në pushtet prej saj. Unë besoj se nga dhuna në 30 qershor nuk përfiton askush përveç Edi Ramës.

Basha ka akuzuar Ramën se dhuna është skenar i tij dhe ajo i sërben vetëm atij për pushtetin personal.

Dhuna dhe viktimat i vlejnë vetëm Edi Ramës. Ai do arsye. Ai kërkon të sigurojë pretekstin e kundërshtarit të dhunshëm për të justifikuar shtetin e tij policor për të justifikuar dhunën dhe abuzimet dhe krimet që ka kryer deri tani. Rrëzimi i Edi Ramës nuk do të vijë duke përplasur shqiptarët me njëri-tjetrin, nuk mund të vijë duke goditur, duke rrahur apo lënduar njëri-tjetrin. Fundi i Edi Ramës po vjen nga braktisja e tij, nga distancimi prej tij dhe nga izolimi i tij. Ky fund është pranë dhe, mbi të gjitha, sepse përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë thellësisht europiane, thellësisht parimore dhe jo për pushtet personal.

Ndër të tjera kryedemokrati ka thënë se interesi interesi publik, mirëqenia e njerëzve është interesi dhe detyrimi i tij personal. Gjithashtu ai ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bini pre e instinktit të dhunës dhe e provokimeve për dhunë.

Nesër është dita për të treguar vullnet me bashkim, me qëndresë dinjitoze, me vendosmëri dhe jo dhunë! Në këtë ditë të keqe për Shqipërinë, forca jonë janë vlerat që ne tregojmë, parimet mbi të cilat ne veprojmë! Ne duam të jemi europianë dhe duhet të sillemi si europianë! Nesër dhe çdo ditë! Nesër duhet dhe do të dallohet qartë diferenca mes autokracisë kriminale të votimeve farsë dhe dinjitetit të një populli të tërë të bashkuar që sfidon regjimin.