Mamurrasi ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. 9 muaj pas tërmetit, banorët e mbetur pa shtëpi të kësaj zone ende nuk kanë marrë një datë për fillimin e punimeve për banesat e reja.
Kreu i FRPD Belind Këlliçi takoi Ali Ukën banor i zonës i cili prej 9 muajsh fle në çadër së bashku me familjen e tij. Ai tha se nuk ka asnjë përgjigje nga autoritetet për fatin e shtëpisë së tij dhe se nuk ka marrë asnjë bonus financiar për rindërtimin e saj.
Nga pamundësia për të jetuar në një çadër të thjeshtë ai e ka përforcuar atë me materiale nga shtëpia e shembur. Jetesa në këtë banesë të improvizuar bëhet akoma më e vështirë për nusen e djalit të tij që është shtatzënë.
Ndihmat nga shteti kanë qenë pothuajse zero teksa vetëm Kryqi i Kuq i ka ofruar familjes së tij bonus për përballimin e shpenzimeve.