Grim në plazh? Po, por duhet të keni parasysh këto gjëra.

325

Pas ditëve të zymta me shi, mund të themi se më në fund erdhi vera! Me siguri shumë prej jush e kanë nisur plazhin këtë fundjavë dhe ne jemi këtu për t`ju dhënë disa këshilla, sidomos vajzave që nuk dëshirojnë të heqin dorë nga grimi dhe të dukurit e kuruar as në plazh.

Nuk ka asgjë të keqe të grimoheni në plazh nëse kjo gjë ju bën të ndiheni mirë dhe të keni më shumë vetëbesim. Megjithatë, ka disa gjëra që duhet t`i keni parasysh dhe të mos i anashkaloni asnjëherë.

Mos harroni kremin e diellit.

Kremi i diellit nuk duhet anashkaluar kurrë! Vendosni një krem me SPF të lartë dhe lëreni 20 minuta, në mënyrë që të përthithet nga lëkura dhe më pas mund të vendosni sipër kremin pudër ose çfarë të dëshironi.

Shmangni fondatinën e trashë.

Fondatina e trashë do të duket shumë keq në diellin e nxehtë, prandaj zgjidhni diçka që të jetë e lehtë. Mund të zgjidhni edhe fondatinën që përdorni në përditshmëri, edhe pse mund të jetë e trashë, por përziheni me kremin e diellit, do të duket më e lehtë dhe më natyrale.

Përdorni produkte që janë rezistente ndaj ujit.

Nëse nuk doni që grimi të fshihet nga uji, dielli apo djersa apo më keq akoma, t`ju përhapet keq në gjithë fytyrën, do të ishte mirë që të përdorni produkte që i rezistojnë ujit. Zgjidhni një rimel rezistent ndaj ujit dhe mos e teproni me shtresat që do të vendosni në qerpikë.

Buzëkuq.

Nëse doni që buzët tuaja të kenë ngjyrë vendosni një buzëkuq mat. Shkëlqyesi i buzëve do të rrëshkasë nga nxehtësia.

Mos kaloni shtresa të tjera grimi gjatë ditës.

Plazhi nuk është vendi i përshtatshëm për të vendosur shumë shtresa grimi. Në vend të shtresave, përdorni pecetat e thata për të hequr yndyrën apo djersën e fytyrës gjatë ditës.