Kuzhina tradicionale në stilin gourmet!? Po kjo është e mundur dhe shije që duhet provuar.

439


Duam diçka tradicionale? A keni pjata me gatime shtëpie? Kjo është pyetja që bëhet shpesh nga klientët në shumë restorante, e kryesisht në ato të agroturizmit. Dëshira e tyre është që të përjetojnë kulturën dhe traditën në gatim të një zone të caktuar. Dëshira për të rikthyer pjatat e dikurshme të gatimeve tradicionale në restorante vazhdon të jetë hulumtimi që bëjnë kryesisht kuzhinierët e dhënë pas gatimit. Shpesh herë ato pjata mund të mos kenë pamjen apo shijen e dëshiruar, por kurioziteti i klientëve duhet shuar.

Në veri, kryesisht në Lezhë, por ndoshta edhe në të gjithë Shqipërinë, tendenca e këtyre lloj gatimeve po zgjerohet. Në pak raste, këto pjata, përmirsohen apo rikompozohen që të marrin formën e një gatimi sa tradicional aq edhe të shijshëm për konsum. Kuzhina është një vend ku mund të eksplorosh duke marrë traditën për t’a riformatuar atë. Çdo pjatë mund të ketë historikun e saj të krijimit e për të cilën ka sherbyer. Elementë këto që kanë nevojë të analizohen për të sjellë sërish në tryezë ushqime të shijshme dhe që prezantojnë traditë.

A mund të përmenden pjatat e vjetra si vlerë e shtuar?

Mish e lakna, tavë orizi, tasqebab, bukë misri e pjekur dy herë, petulla të mbushura etj, të gjitha janë pjata me të cilat lidhet një pjesë e kulturës tonë të gatimit. Mirëpo, së fundmi, këto pjata janë rikthyer në formatin gourmet, duke mbajtur të njëjtët përbërës duke transformuar gatimin dhe paraqitjen e tyre. Kuzhinieri lezhjanë. Alfred Marku, po nxit këtë lloj transformimi. Kjo si një nevojë për t’a bërë ushqimin një formë prezantimi që ridimensionon edhe shijen e këtyre pjatave. Kjo mënyrë ka funksionuar, pasi ata që e duan ushqimin kanë nevojë për të provuar eksperienca të reja brenda traditës dhe kulturës lokale.

Historiku i këtyre pjatave të gatuara nuk ndryshon aspak, por tashmë produktet përpunohen më shumë dhe transformohen duke mos humbur asnjë vlerë ushqyese, por duke përmirsuar shijen. Këtë ka bërë edhe kuzhinieri Alfred Marku. Ai përmes transformimit të këtyre pjatave tradicionale i ka dhënë kuzhinës gourmet formatin shqiptarë. Fundja, kjo është ajo që kërkojnë eksploruesit e gatimit e më së shumti turistët e huaj që duan të marrin më të mirën prej vendit tonë ndërsa e vizitojnë atë.

Pjatat tradicionale mund të jenë pjata gourmet

Por a mund të transformohet në formatin gourmet një pjatë tradicionale! Në kuzhinë gjithçka është e mundur. Për këtë mjafton që të njohësh përbërësit dhe mënyrën sesi mund të përpunohen ato. Këtë fakt e përforcon kuzhina e chef Alfredit. Menyja e tij me pjata të traditës që rikthehen në kohë, por të transformuara, mund të jetë katalizator për mënyrën sesi duhet paarë ushqimi. Në fakt dihet që pjatat e ndryshme të ushqimit ndryshojnë me kalimin e viteve përshkak të nevojës për ti përmirsuar ato dhe përshtatur me mjedisin e ri që krijohet. Nëse çdokush mund të ketë dyshime për këtë, atëherë mënyra më e mirë është për ti analizuar dhe konstatuar këto ushqime tradicionale të riformatuara në kuzhinën gourmet, chef Alfred Marku është gati të ju prezantojë këtë tendencë.

Sipas asaj që shpjegon shpesh vetë Alfred Marku, së fundmi edhe në librin e tij “Rapsodi në pjatë”, kuzhina është kimi dhe gatimi mund të shndërrohet në një version edhe më të mirë. Për të bërë diçka të tillë duhet të kuptosh më parë shijen, e pastaj ta bashkosh atë. Nga ky bashkim ose do të dalë një shije e re, ose do të krijohet një lojë shijesh. Për këtë chef Alfredi shpjegon se mund të bësh bashkë elementë, të cilët veçmas nuk do të mund t’i haje.

“Tavë orizi që nuk është tavë orizi”. Mos është kjo një lojë fjalësh?! Në fakt nuk është asgjë më shumë se një pjatë tradicionale me pilaf dhe peshk, përbërësit e të cilës janë gatuar fillimisht të ndarë dhe më pas janë ribashkuar në një pjatë për të krijuar këtë ushqim tradicional në një format tjetër dhe me shijen e ndjesive të vjetra. Ushqimi mund të transformohet, mund të ripërpunohet dhe duke na dhënë pjata që tregojnë kulturën tonë dhe na shijojnë ndryshe gjithashtu.