Parlamenti i Turqisë aprovoi një ligj të ri për rregullatorin elektoral, duke u mbështetur në legjislacionin e kontestuar, për të cilin opozita thotë se e hap derën manipulimit dhe pengon paanshmërinë e zgjedhjeve të 2019-ës.
Pasi zëvendëskryetarja e kuvendit, Aysenur Bahcekapili njoftoi rezultatin e votimit, një sherr masiv filloi brenda sallës mes ligjvënësve nacionalistë dhe atyre të opozitës. Disa deputetë u dhunuan me grushte dhe në pamje shikohen teksa ndjekin njëri-tjetrin.
Legjislacioni zyrtarisht lejon krijimin e aleancave elektorale, duke i hapur rrugën kështu një marrëveshje mes partisë qeveritare të presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe aleatëve nacionalistë. Miratimi i tij nuk ishte një surprizë pasi zotëronte mbështetjen e Partisë Drejtësi dhe Zhvillim “AKP” dhe Lëvizjes Nacionaliste “MHP”. Por nga ana tjetër, kritikët qeveritarë kanë dhënë alarmin për ligjin e ri.
Ai i jep autoritet Bordit të Lartë Elektoral që të bashkojë distrikte elektorale dhe të lëvizë kutitë e votimit për në vende të tjera. Fletët e votimit do të jenë të vlefshme edhe pa vulën e bordit elektoral lokal, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë një vendim që në referendumin e vitit të kaluar shkaktoi një protestë të gjerë midis kritikëve të qeverisë dhe shqetësimit nga monitoruesit e zgjedhjeve. Ligji i ri lejon gjithashtu qëndrimin e forcave të sigurisë në qëndrat e votimit dhe numërimit.