"Raketat e pamposhtura" të Rusisë

493

Në fjalimin e tij para kombit, presidenti Rus Vladimir Putin zbuloi se posedon raketa që janë “të pamposhtura”. Duke nënvizuar se ka arsenalin më të fuqishëm në botë, ai tha se ushtria ruse është e përgatitur të përdorë edhe armët bërthamore. Ai foli gjithashtu edhe për zhvillimin e armëve me lazer dhe një droni nënujor.
Presidenti Vladimir Putin zbuloi risitë dhe zhvillimet e fundit në aftësitë luftarake të vendit. Shefi i Kremlinit bëri me dije se Rusia ka krijuar një raketë të re, e cila nuk mund të shkatërrohet dhe që mund të arrijë çdo cep të botës. Ai tregoi raketën duke përdorur një video-prezantim dhe tha se nuk mund të ndalet nga sistemi mbrojtës i Shteteve të Bashkuara, Azisë dhe Bashkimit Europian.
“Kemi prodhuar një raketë me shpejtësi hipersonike, e vështirë për t’u lokalizuar me një ngarkesë bërthamore dhe praktikisht e aftë të fluturojë një distancë të pakufizuar dhe një rrugë të paparashikueshme fluturimi, e cila mund të anashkalojë linjat e përgjimit dhe është e pamposhtur përballë të gjitha sistemeve të mbrojtjes, ekzistuese dhe të ardhshme, si dhe nga mbrojtja ajrore”, tha shefi i Kremlinit.
Gjithashtu, Putin prezantoi edhe krijimin e një droni nënujor, i cili ka aftësi të mëdha të qëndrojë në fshehtësi dhe është i pajisur me një reaktor bërthamor. Presidenti rus tha se droni mund të godasë avionmbajtëset e armikut dhe të sulmojë mbrojtjet bregdetare.
Një tjetër risi e publikuar nga Putin është edhe zhvillimi i sistemit të armëve me lazer. Pavarësisht këtij zbulimi ai nuk dha shumë detaje vetëm theksoi se arma duhet të emërtohet. Ndërkohë, Putin në fjalim preku edhe tema sociale ndërsa premtoi se do të ulë nivelin e varfërisë në të gjithë vendin.
Fjalimi i Putin para kombit vjen pak para zgjedhjeve presidenciale që zhvillohen më 18 mars, ndërsa sondazhet tregojnë për një fitore të sigurtë. Rivali i tij kryesor, opozitari Alexei Navalny nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje pasi është dënuar nga një gjykatë ruse për përvetësim fondesh. Ky i fundit ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve.