Kotzias interpelancë në parlamentin grek për paktin detar me Shqipërinë

470

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias e ka quajtur marrëveshjen e 2009-ës “një marrëveshje fantazmë” pasi nuk është ratifikuar kurrë në Kuvend nga qeveria e mëparshme.
“Një marrëveshje e vërtetë që do të zgjidhë çështjet teknike është më mirë se një marrëveshje fantazmë”, është shprehur Kotzias në replikën ndaj deputetes Bakojanis, e cila është një nga nënshkruesit e marrëveshjes se 2009-ës duke qenë se ka mbajtur postin e Ministres së Jashtme në të njejtën periudhë.
Kotzias bëri me dije se “mosmarrëveshjet midis Shqipërisë dhe Greqisë për 9% të sipërfaqes detare, nuk do të ndryshojë të gjithë hapësirën detare të vendit”. Ai tha se grupi negociator i palës greke përbëhet nga 10 persona, 8 janë zyrtarë të ministrisë së jashtme, një personalitet i të drejtës ndërkombëtare dhe një specialist i hartografisë. Në interpelancë Kotzias foli edhe për polemikat në Shqipëri rreth çështjes së detit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë janë çështje të brendshme të Shqipërisë dhe nuk na angazhojnë për ndonjë gjë. Unë pres një mirëkuptim dhe bashkëpunim. Sa herë që të doni, unë jam në dispozicionin tuaj për t’ju informuar. Nuk është mirë të nxirren përfundime nga raportet e shtypit. Ministria e Jashtme e Shqipërisë po diskuton me presidentin për plotfuqishmërinë. Kjo plotfuqishmëri do të bazohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që për ne nuk është vendim i duhur”.
Ish ministrja e jashtme, Bakojanis akuzoi Kotzias se ka zhvilluar negociatat me Shqipërinë në mënyrë të fshehtë.