Qendresa dignitoze e Presidentit Trump

195

Reagimi i amerikanëve ndaj vjêdhjes kolosale të zgjedhjeve dhe certifikimit të turpshëm ty tyne procedural me regjinë e trathëtisë së bashkëpuntorëve mâ të ngushtë të presidentit Trump, asht nji sinjal se falangat e ekstremizmit pervers majtist, nuk do te jenë të qeta në ushtrimin e pushtetit të vjêdhun për 4 vitet e ârdhshme.

U desht nji eksponent jashtë establishmentit të politikes së kalbun, si presidenti Trump, për me kallxue rrênën romantike të modelit të rí demokratik që po instalohet tashmâ edhé në USA. Mârrja simbolike e Kongresit, përtej disa infiltrimeve evidente të eksponenteve të krimit dhe vandalizmit që gjatë presidencës Trump trazoi ciklikisht Amerikën, ishte vërtetë përgjigja e duhun dhe indinjata e ligjshme e qytetarëve amerikan për me dënue vjêdhjen e votës dhe deshmue vullnetin e tyne për mos me kooperue me nji pushtet të paligjshem.

Me të drejtë Abraham Linkoln, në disa rreshta që kam postue mâ parë, legjitimon e i njeh popullit të drejten me mârrë e kontrollue institucionet e mbrojtë kushtetutën kur njerëzit që shërbejnë aty, kanë nji qasje perverse ndaj tyne e rregullimit kushtetues. Rendi i rí botnór me matricë satanike masone që po afirmohet haptazi e me bekimin e atyne që duhet të jenë shêjë kontradikte me botën, mbas nji marshimi të gjatë në historinë e viteve të fundit, e të mimetizuem me fjalë të bukura të sintetizueme në sllogane mbi të drejtat e njeriut, barazinë e anti-diskriminimin, tashmâ me Presidencën e mundshme e të gjymtueme Biden, asht në apogjeun e tij.

Sikúr e përseris shpesh që historia nuk asht vetëm në dorën e njeriut e nuk kam tundime të mesianizmit politik, pavarësisht simpative e bindjeve politike personale, mêndoj se shêmbulli i presidentit Trump me qendrue heroikisht deri në fund e kshtu mos me iu palosë vullnetit të pushteteve okulte e respektue shêjtninë e lirisë së popullit me zgjêdhë demokratikisht, asht nji ogur frymezues për të gjith ata që e shohin politikën si sherbim ndershmënie e drejtësie. Falangat e majtizmit ekstrem nuk kanë bâ kurr zgjêdhje të lira e demokratike e janë kênë gjithmonë në historí minoranca agresive që kanë shfrytëzue dobësitë fiziologjike të sistemit për me afirmue logjikën e tyne sunduese e manipuluese, të modulueme në bazë të nji ideologjie joshëse utopike.

Kam kênë në mënyrë konstante kundër vjêdhjes së votës me veprime e shkrime të shpeshta, bash at’herë kur mârria kolektive shantazhonte me pranue të keqen, me pretekstin e së keqes mâ të vogël. Vjêdhja e votës ka diçka diabolike dhe pengon të mirën e përbashkët e gjithashtu tregon ftyrën e vërtetë kriminale të pushtetmbajtësve të rradhës. Mjafton të shohim historinë t’onë të shtetit shqiptár, mâ shum se nji shekullore, për me pá se si minorancat majtiste sui generis, sigurisht me matricë otomane, d.m.th. tmerri i tmerrit, herë të ndamë me kritere rrugore në të majtë e të djathtë, nuk kanë zhvillue kurr zgjêdhje të lira e demokratike.

Apoteoza e dhunimit spektakolár të zgjêdhjeve daton qysh me 26 maj 1996-të dhe vazhdon endé sot në mënyra të tjera. Joshja dhe shantazhi me bukën e gojës e forma të tjera provinciale të proletariatit të dhunuem në rrafshin mêndór e madje edhé fizik, tregon modelin e shemtuem që kena instalue, tashmâ i ratifikuem prej pafuqisë e servilizmit t’onë endemik. Prandej, çdo njeri vullnetmirë që don të drejtën, demokracinë, lirinë e ndershmëninë integrale, nuk mund të mos shohë me shpresë mârrjen simbolike të tempullit të demokracisë amerikane prej qytetarëve amerikane ditën e djeshme.

Mediat e rreshtueme me revolucionarët e hajnisë së votave që po i japin jetë nji rendi të Anti-krishtit, duhen bojkotue sepse vetëm kshtu asht e mundun mos me u infektue prej virusit të rrênës e mashtrimit kolosal. Na duhet të jena kunder-revolucionár me bindje e veprim, tue pasë gjithmonë shpresën që nuk zhgënjen, se e drejta e popullit që beson në Zotin e së vërtetës do të triumfojë.

Opinion nga Nest ZEFI