Kokaina në Durrës me vlerë 180 milion euro, Video

534

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu në konferencë për shtyp pas kapjes së sasisë record të kokainës në Shqipëri ka dhënë detaje për operacionin e Policisë në bashkëpunim me prokurorinë e krimeve të rënda dhe hetimin doganor.
Sipas tij lënda narkotike ishte nisur nga Kolumbia kishte kaluar në Maltë dhe ka mbërritur në 19 shkurt në Portin e Durrësit, ku u mbajt në vëzhgim të pandërprerë.
Droga me vlerë 180 milionë euro ishte e paketuar 528 pako e mbështjellë me letër natriban, ndërsa në pranga ranë dy persona Donaldo Lusha 25 vjeç nga Tropoja dhe Armando Pezaku 25 vjeç nga Durrësi.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Arben Çekaj, pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.
Deklarata e plotë e kreut të Policisë Ardi Veliu:
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snoë”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.
Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.
Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.
Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.
Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.
Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.
Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:
– Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;
– Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.
Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.
Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurtë.
Prokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj deklaroi për mediat se për shkak të hetimit, fakteve dhe rëndësisë së çështjes, nuk mund të jepen detaje të tjera. “Hetimet vazhdojnë. Organet ligjzbatuese në vend kanë qënë në alarm prej kohësh. Ky është rasti i vetëm mendoj i një sasie lënde narkotike të lartë, kështu që aktualisht ne nuk mund të japim detaje të tjera”, tha Hajdarmataj.
I pyetur se pse u zgjodh Shqipëria për të kapur këtë sasi lënde narkotike, Hajdarmataj tha, “jemi të gjithë të angazhuar dhe po kryejmë hetime, përfshirë Policinë e Shtetit, Prokurorinë, Drejtorinë e hetimit doganor dhe po koordinojmë ngushtësisht me gjithë partnerët dhe prokuroritë homologë për të dokumentuar të gjithë aktivitetin kriminal të këtij rasti”.