Vrasja në Elbasan/ Zbardhet dëshmia e Paplekajt: I tronditur nga humbja e jetës së një njeriu, kam kërkuar ditën e ndalimit…

271

Zbardhet dëshmia e Arbër Paplekajt, ish-efektivi i policisë i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb”, Arbër Paplekaj shprehet i tronditur për humbjen e jetës së një personi.

Ai thotë se nuk mund të japë shpjegime për shkak të kësaj tronditjeje dhe se për faktin se nuk ka dijeni se në ç’rrethana ndodhet familja e tij dhe katër fëmijët. Paplekaj përmend edhe profesionin e tij, teksa thotë se nuk mendonte se do të gjendej ndonjëherë në një situatë të tillë pasi është trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Duke qenë se jam tepër i tronditur nga ngjarja e ndodhur, për shkak të humbjes së jetës së një personi dhe se nuk kisha menduar ndonjëherë se do të gjendesha në një situatë dhe rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt, për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve pavarësisht rrethanave ekstreme në të cilat jam ndodhur për të reaguar në mbrojtje të vetes dhe personave me të cilët isha nuk ndryshon dhimbjen dhe tronditjen që kam. Po kështu duke qenë në kushtet e ndalimit dhe nuk kam dijeni se në ç’rrethana ndodhet familja ime dhe katër fëmijët që unë kam për këto arsye unë nuk jam i qetë për të dhënë shpjegime në këto momente. Unë nuk do të jap shpjegime, por kam kërkuar ditën e ndalimit këqyrjen dhe ekzaminimin mjeko-ligjor të një plage të dukshme të cilën e kam në dy gishtat e fundit të dorës së djathtë. Ky fakt është i pasqyruar dhe në regjistrin e mjekut të dhomave të paraburgimit i cili ma ka parë këtë dëmtim dhe e ka regjistruar, por unë nuk e kam lënë të ma mjekojë për shkak se nuk ishte bërë këqyrja dhe ekzaminimi mjeko-ligjor. Kërkoj aktualisht që të kryhet dhe ekzaminimi mjeko-ligjor.
Kaq kam për të thënë. Procesverbali pasi u lexua dhe u gjet i rregullt u firmos pa vërejtje”, thuhet në dëshminë e Paplekajt./BW