VIP-at shqiptarë të bllokuar në aeroportin e Romës

828

Moti i keq me stuhi dëbore ka paralizuar gjithë Italinë. Linjat hekurudhore në Romë dhe Palermo janë mbyllur momentalisht për shkak të reshjeve të dendura të të ftohtit. Valës së të ftohtit që ka goditur Italinë nuk i ka shpëtuar as aeroporti i Romës, i cili ka pezulluar fluturimet.
Mijëra pasagjerë që udhëtonin tranzit nga aeroporti i Romës kanë mbetur të bllokuar pas pezullimit të të gjitha fluturimeve të linjave ajrore, pikërisht nga situata e krijuar prej motit të keq. Mes tyre edhe dy personazhe mjaft të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar.
Disa prej qytetarëve shqiptarë që kanë mbetur njësoj të bllokuar në aeroportin e Romës, kanë njoftuar redaksinë e Fokus Lajm se të bllokuar kanë mbetur edhe gazetari i mirënjohur i emisionit “Opinion” në TV Klan, Blendi Fevziu si edhe Producenti dhe këngëtari i famshëm nga Kosova, Genc Prelvukaj.
Ne kemi mësuar se Blendi Fevziu udhëtonte nga New Delhi drejt Tiranës dhe ishte tranzit në Romë, ku edhe ka mbetur i bllokuar pas pezullimit të fluturimeve.

Ndërkohë, këngëtari Genc Prelvukaj po kthehej nga New York në SHBA, ku edhe zhvilloi një tur koncertesh që ka rezultuar mjaft i suksesshëm.
Të dy personazhet publikë shqiptarë do t’i duhet të presin deri në një njoftim të autoriteteve italiane për rinisjen e fluturimeve, sonte në darkë ose nesër në mëngjes.