Sulm ndaj konsullatës së Kosovës në Strasburg 

446

Konsulli i Kosovës në Strasburg, Edon Cana ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se gjatë fundjavës është sulmuar konsullata e përgjithshme në Strasburg.
Cana bëri të ditur se është vjedhur flamuri i Kosovës si edhe është shkatërruar stema e shtetit të Kosovës.
Udhëheqësit kosovarë dënuan ashpër aktin vandal të vjedhjes së flamurit dhe shkatërrimit të stemës së Republikës së Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj reagoi duke thënë se sulmi që ka ndodhur mbi Konsullatën e Kosovës në Strasburg është një akt i papranueshëm që cënon integritetin e shtetit të Kosovës dhe i bëri thirrje organeve kompetente franceze që të zbulojnë dhe të kapin autorët e sulmit dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë.
Sulmin ndaj konsullatës e ka dënuar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Dënoj fuqishëm sulmin vandal ndaj Institucioneve dhe Simboleve Shtetërore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg. Falënderoj reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e Institucioneve franceze të sigurisë, që t’i përgjigjen shpejt kërkesës tonë për hetim dhe presim që kryerësit e këtij akti të ulët të nxirren para drejtësisë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze në lidhje me këtë rast”, ka thënë Pacolli.