Kryeministri Rama zhvilloi sot mbledhjen e qeverisë në Berat

437

Kryeministri Rama zhvilloi sot mbledhjen e qeverisë në Berat, në kuadër të nismës për t’u zhvendosur me kabinetin të paktën një herë në muaj në një qark të vendit
Pas mbledhjes së qeverisë në Berat, Kryeministri Rama tha se në fokus të mbledhjes ishin disa vendime që rrisin cilësinë e ndërveprimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve në funksion të shërbimeve dhe punësimit.
Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Rama tha se u miratua fondi social, i cili synon të përmirësojë shërbimin social, sa më pranë nevojave dhe kërkesave specifike të komuniteteve dhe qytetarëve në çdo Bashki.
Kryeministri Rama tha se u diskutua gjithashtu Programi Kombëtar i Punësimit, si një plan i detajuar në funksion të punësimit, i cili do të publikohet në pranverë.
Lidhur me aktivitetin e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në malin Tomorr, Kryeministri Rama tha se nuk do t’i hapet më rrugë barbarisë së abuzimeve në qarkun e Beratit. Çdo kompani që kërkon të shfrytëzojë kodrat dhe malet për të nxjerrë gurë, duhet të zbatojë në mënyrë rigoroze kontratat dhe standardet, në mënyrë që të evitohet abuzimi në këtë sektor.
Lidhur me anulimin e ndërtimit të HEC-eve në Osum, Kryeministri Rama tha se qeveria që ai drejton nuk do të lejojë asnjë industri që të cënojë industrinë më të rëndësishme në vend, turizmin.
Kryeministri Rama tha se ka një abuzim politik lidhur me çështjen e familjeve që janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike. Ai tha se skema është e ftohtë dhe kompjuterike, por aktualisht ka një proces rivlerësimi, duke qenë se në skemë ka edhe një marzh gabimi.
Kryeministri Rama tha se qeveria ka dyfishuar fondin për Bashkitë nga 3% në 6%, në mënyrë që vetë Bashkia, e pandikuar nga skema, të mund të përfshijë në skemën e ndihmës, familje që ajo gjykon se janë në nevojë.