Presidenti Trump shpalli sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

518

Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot gjatë një fjalimi se po vendos numrin më të madh ndonjëherë të sanksioneve kundër Koresë së Veriut.
Ai tha se ky është hapi i fundit në fushatën për të ushtruar trysni ndaj Phenianit, në mënyrë që ajo të heqë dorë nga programi bërthamor, por ky vendim për sanksione shtesë mendohet se mund të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut.
Presidenti Trump tha në Konferencën e përvitshme Konservatore të Veprimit Politik se këto janë sanksionet më të rënda që janë vendosur ndonjëherë duke thënë se Departamenti i Thesarit do të ndërmarrë hapa të reja për të reduktuar më tej burimet e të ardhurave dhe karburantit që përdor Koreja e Veriut për të financuar programin bërthamor si edhe për ushtrinë.
Presidenti Trump tha se në shënjestër janë vënë 56 anije, kompani transporti dhe biznese tregtare që po ndihmojnë Korenë e Veriut të shmangë sanksionet.