Territorialja, Mirdita dhe padrejtësia që lindi me instalimin e diktaturës

306

Mirdita, një prej trevave me histori të spikatur në trojet shqiptare prej vitit 1945 përballet me pasojat e padrejtësisë së një reforme administrative që kishte si synim final zhbërjen e kësaj treve.
Përpos masakrave masive mbi popullsinë civile me pretekstin e luftës ndaj diversantëve dhe reaksionarëve që vijuan deri në vitin 1952, regjimi diktatorial ndërmori edhe aktin ekstrem të ndarjes së territorit të kësaj treve, ku krahina të saj, iu bashkangjitën Matit, Pukës, Shkodrës, Lezhës e Kukësit.

Mbi 45% e territorit të Mirditës etnografike edhe sot vijon të jetë nën juridiksionin e rretheve fqinje teksa 32 vite pas rënies së regjimit komunist asnjë reformë territorialë në këto tre dekada nuk e zhbëri këtë padrejtësi.

Asnjë trevë tjetër në Shqipëri nuk u përball me një masë ndëshkimore të tillë, çka tregon se objektivi final ishte nënshtrimi i kësaj krahinë me çdo çmim dhe mjet.

Në vitin 2014 përpara së të miratohej reforma territoriale se bashku me gazetare dhe historianë e ngritën zërin për këtë çështje, por asnjë deputet i opozitës asaj kohë nuk e gjeti mundësinë të përfaqësonte zërin tonë në parlament dhe reforma u miratua sipas orekseve elektorale të mazhorancës.

Sot po diskutohet për një rishikim të reformës territoriale, e për fat të keq ndonëse 65% e banorëve të qarkut të Lezhës janë mirditor, në radhët e opozitës nuk ka asnjë deputet mirditor, që t’u kujtojë ligjvënësve se kjo padrejtësi duhet rregulluar.

Besoj se deputetet e Qarkut Lezhë që janë në radhët e Partisë Socialiste do ngrenë zërin, qoftë edhe në nderim të parëve të tyre.

Do ishte ne nderin e këtij vendi, që kudo në kufijtë shtetëror rrethohet me tokë shqiptare, që brenda këtyre 28 mijë kilometrave katrorë të Shtetit Shqiptar, krahina e desidencës shqiptare, injektore e lëvizjeve për pavarësi dhe njëherësh Toka e Katedraleve të rikthehet në identitet.

Nga gazetari Elkier BUSHKOLAJ