KE rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë

351

Komisioni Europian ka rekomanduar përsëri çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në prezantimin e progres-raportit për dy vendet, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë së Mirë, Johannes Hahn, vlerësoi veçanërisht arritjen e Shqipërisë me Reformën në Drejtësi, si dhe marrëveshjen e Maqedonisë së Veriut me Greqinë për çështjen e emrit.

“Jam shumë i lumtur të shoh se si Shqipëria dhe Maqdonia e Veriut kanë përqëafuar këtë mundësi. Shqipëria po kryen një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë. Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Maqedonia ka arritur një marrëveshje historike me Greqinë, duke zgjidhur çështjen e emrit. Është një shembull i ndritshëm për vendet e tjera”, tha Hahn. “Të dy vendet kanë pasur rezultate në reformat e ndërmarra, prandaj Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat me të dy vendet dhe ta bëjë këtë tani”.

Hahn nuk ngurroi t’u kujtonte eurodeputetëve për sfidat që ka rajoni dhe ndikimin e forcave të huaja. “Ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka ende mungesa thelbësore që duhen adresuar. Ka emigracion të lartë dhe ulje të numrit të lindjeve. Bashkimi Europian mbetet partneri më i madh i Ballkanit Perëndimor, por duhet të marrim parasysh investimet në rritje të Kinës, të cilat shumë shpesh neglizhojnë qëndrueshmërinë socio-ekonomike dhe financiare të vendeve ku investon”.