Dukagjini kërkon rrugën!

698

Prej disa muajsh, banorët e njësive administrative të Dukagjinit, që i përkasin Bashkisë Shkodër dhe asaj të Laçit të Vaut të Dejës janë organizuar në kryeqendrën e veriut në një lëvizje të përbashkët me synime të drejta, progresiste dhe zhvillimore, që të nxisin autoritetet shtetërore në respektimin e të drejtave komunitare dhe kulturore, për të rindërtuar rrugët e brendshme të Alpeve, që kalojnë, njëra, përmes Pultit, Shoshit dhe Shalës drejt Thethit dhe tjetra nga Postriba për në Shllak, Cukal, Temal dhe Dushman.

Dukagjini përfshin pjesën lindore dhe qendrore të Bjeshkëve të Namuna dhe nga kjo krahinë burojnë lumenjtë e Shalës dhe Kirit. Pasuritë natyore dhe hapësira turistike e krahinës është e pamatshme. Po ashtu, ana tjetër, Shllaku është bjeshka ma e aftërt me qytetin e Shkodrës, që shihet pothuajse nga të gjitha rrugicat e qytetit.


E gjithë krahinat e lartpërmendura, përfshirë edhe Nikaj Mërturin, nga pikëpamja e ndarjes administrative kishtare bëjnë pjesë në Dioçezën e Pultit. Historia e Dukagjinit në tërësi është një histori lirie, rezistence për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe mosnënshtrimi ndaj regjimeve shtypëse, që në fillim të shekullit XX, nga Divani i largët sulltanor u zhvendosën gradualisht në Tiranën zyrtare, fillimisht atë të bejlerëve të pandjeshëm, më pas atë të zonalëve operativë diktatorialë, për të mbërritur tek Tranzicionistët e pafamë të Epokës së Koalicionit të Korrupsionistëve.
Historia e rrugës së munguar në fakt shkon paralelisht me privimin e të drejtës komunitare për gëzimin e një njësie të përbashkët bashkiake të të gjithë krahinave të përfshira në Dioçezën e Pultit, por ne sot do ndalemi vetëm tek pjesa e parë: rruga e munguar si askund në Shqipëri në një sipërfaqe kaq të madhe, për aq shumë banorë, për aq shumë pasuri natyrore të vendit, për një komunitet ndaj të cilit shteti shqiptar ka dhënë garanci të veçanta ndaj Perëndimit.
E megjithatë, 32 vite nuk u kanë mjaftuar qeverive të njëpasnjëshme shqiptare të shpenzojne dikund nga 50 deri 60 milion Euro në total, për të plotësuar detyrimin shtetëror të ndërlidhjes së brendshme rrugore të Pultit, Shoshit, Shalës me kryeqëndrën e Bashkisë së vet në Shkodër, ndërkohe që ato e kanë fundosur shtetin në borxhe për disa breza (në një raport të Bankës së Shqiperise lexoj se Stoku i Borxhit të Jashtëm bruto të Shqipërisë shënoi shifren 9,893.4 milionë eurosh (9.8 miliard Euro) në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2022).
Gjate kohës, që kam qenë deputet i Parlamentit të Shqipërisë disa herë ua kam kërkuar perfaqesuesve të zgjedhur të të dy krahëve politikë drejtimin e vëmendjes dhe të fondeve për zhvillimin e njëtrajtshëm të kësaj zone të brendshme të Alpeve dhe posaçërisht për rindërtimin e rrugës nga Prekali në Kir, Mali i Shoshit, Lotaj, Breg i Lumit dhe Thethit, si një masë kompensuese dhe një kërkesë faljeje e Shqipërisë, për krahinat e persekutuara në bllok nga diktaturat, që nuk iu ndanë këtij vendi.
Pas çdo kërkese, përgjigjja e vetme që kam marrë ka qenë HESHTJA.


Gjatë kohës kur përgatitej, diskutohej dhe ligjësohej buxheti i vitit 2018, në emer të Grupit Parlamentar të PD, i propozova Parlamentit, që Qarkut të Shkodrës t’i akordohej një Transfertë e Pakushtëzuar prej 40 milion Eurosh në vit, për 4 të tilla (aq sa është shifra e shpenzuar për unazën hyrëse të Tiranës prej 3 km), për të rregulluar rrjetin rrugor në Shkodrën qytet, në Dukagjin – rindërtimi i rrugës ekzistuese, Koman, Pukë dhe Fushë- Arrës, një segment në Kelmend-Tamarë- Vukël- Razëm- Fushë e Zezë.
Projekt-ligji u hodh poshtë me arrogancë nga deputetët e PS- së, por ajo që më bëri përshtypje ishte vota kundër e deputetëve qeveritarë të Qarkut të Shkodrës. Nuk e kisha hasur për ndonjë qark tjetër, asnjë rast të tillë të një sjellje të tillë të përkundërt me detyrimet e përfaqësuesve të deputeteve të krahëve të ndryshëm politikë kur vjen puna për interesat e bashkësisë. E pangjashme, por e regjistruar tanima në analet e historisë parlamentare të Shqipërisë, edhe si përkufizim i modelit të deputetit të shtypur pa kurriz, që pilotohet nga kjo anë prej partive politike, familjare dhe klanore.
Dhe jo vetëm kaq: heshtja mbi gjëndjen diskriminuese të krahinave Alpine vazhdon të jetë mbisunduese në Parlamentin e Shqipërisë dhe për banorët e Shkodrës, fushave dhe malësive të saj, nuk ka një derë ku të trokitet, mbasi figurantët jo vendimarrës nuk mjaftojnë për të ndryshuar fytyrën e vërtetë të qeverisë. Tirana administrative, në të gjitha degët e saj, vazhdon dhunën, injorimin, shkeljen masive të të drejtave individuale dhe komunitare, ndërkohë që përfaqësuesit e qeverisë guxojnë të vijnë për të bërë foto dhe propagandë në Shkodër pa marrë asnjë përgjegjësi zgjidhjeje për banorët e vendeve ku vijnë të hedhin vallen elektorale. Kjo është e papranueshme dhe e refuzueshme.
Sot, para heshtjes së pafundme të autoriteteve shtetërore, populli ka vendosur t’i dalë vete zot vendit të vet dhe njerëzve me halle shumë.
DUKAGJIN DELI ZOT VEDIT asht thirrja e dalun prej Shpirtit të Popullit, por që i ka hutuar dhe vendosur në rreshtin e paqartësisë, të pavendosmërisë, politikanët vendore dhe qëndrorë, në këto ditë të pragut të fushatës krahinore zgjedhore. Nuk ka heshtje dhe fshehje më, kur vjen puna për interesa publike të një rëndësie të veçantë, që lidhen me jetën, zhvillimin, përparimin dhe gëzimin e barabartë të të mirave që ofron një shoqëri demokratike, respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut, njëtrajtshmërinë e sjelljes së qeverisë ndaj komponentëve përbërës kulturorë të Shqipërisë.
Mirëpo, të gjithë të zgjedhurit duhet të marrin leje dikund dhe kjo leje, siç duket nuk vjen kurrë për anët tona, për Shkodrën dhe Malësitë e saja fisnike. Prandaj edhe përfaqësuesit që kanë vërshuar një mbas një këto ditë në qytet, me çanta me premtime, hallakaten pa i nda punët qartazi në lidhje me Rrugën e Dukagjinit dhe më Bashkinë e Dukagjinit. Ajo që u mbetet të bëjnë është taktika e negocimit të pambarimtë dhe paraqitja e projekteve madhështore dhe të paarritshme për mendjet e njerëzve realistë: zhvendosja e fokusit, nga ndërlidhja e Dukagjinit me Shkodrën tek ndërlidhja e Shkodrës, përmes një cepi të Dukagjinit, me Gjakovën. Krejt e papranueshme, mbasi, edhe në qoftë se bëhet, kjo rrugë nuk do të depërtojë për ndryshimin e jetës ndër cepat e pafundëm të varfnisë dhe moskomunikimit në këtë zonë.
Askush nuk duhet të harrojë, se anët tona kërkojnë zgjidhje dhe jo shmangie, nuk pranojnë shtrëngim me bukën e familjeve për shkëmbime me kushte të paparimta, as përulje, as tentativa për mposhtje. Anët tona kanë Besë, Fjalë, Mikpritje dhe një Pakt që duhet të nënshkruhet tani, pa dredhi.
Kërkohet pra Besa, Fjala dhe Kontrata e Zbatueshme:
Le t’i bijmë shkurt, pa hapur tunele që të çojnë në Gjakovë me video dhe skema tredimensionale, veç rrugë ma të shkurtra që na lidhin shtëpitë, kullat, qendrat e banuara të njësive administrative të Dukagjinit (1/3 e Alpeve Shqiptare) me kryeqendrën e Bashkisë Shkodër.
Kërkohet rindërtimi në standard i rrugës ekzistuese, si e vetmja mënyrë për një zhvillim të gjithanshëm, tanësor dhe kapilar, siç ndodh rëndom në vendet e drejtuara në mënyrë të përgjegjshme, nga qeveri demokratike dhe europianiste, që duan zhvillim simetrik të rajoneve, të cilat administrojnë.
Krejt e thjeshtë:
Shkodra kërkon pjesën e saj, aq sa i takon nga buxheti i shtetit, për zhvillimin e zonave të veta të brendshme dhe një kompensim të arsyeshën për mungesën disavjeçare të qeverisë qendrore ndër anët tona. Për pyetjet e Shkodrës kërkohen përgjigje të sakta, kontrata të shkrueme dhe fillim pune tani.
Po ashtu, Populli i Dukagjinit nga ana e vet kërkon qartazi:

1. Rindërtimin në linjën ekzistuese, të Rrugës Prekal- Kir- Mali i Shoshit- Lotaj- Bregu i Lumit – Theth, d.m.th. rrugën, që nuk mbyllet asnjë ditë të vitit, por që i jep jetë Dukagjinit, çdo fshati të tij, i hap gjërësisht mundësitë e turizimit për 365 ditë, e mban në gjallni permanente ekonominë turistike paralelisht edhe në Shkodër, ndërron tempin e ekonomisë, ristabilizon tregtinë, garanton zhvillimin e pandërprerë të sistemit të edukimit.


2. Rindertimin e anekseve të brendshme, me radhë sipas një rreshtimi gjeografik:
a. Guri i Mashës Kir- Pog- Plan.
b. Guri i Mashës (Kir) – Xhan.
c.Segmentet e brendshme në Shosh: Ndrejaj, Palaj, Brazhdë, etj.
D. Segmentet e brendshme në Shalë, Vuksanaj, Nicaj, Nënmavriq, Gimaj, Gag, Abat, Ndërlysë, etj.

3. Rrugën për në qendër të Shllakut:
a-Rruga nga Drishti në Log Gegaj;
b-Koman – Benë

4. Ne fund fare, pas mbylljes së fazave të para, mund të zgjerohet edhe rruga nga Shkodra për në Prekal, që në fakt ekziston.
Prekali, nuk duhet të harrojmë është fshati i parë i Dukagjinit. Kjo do të thotë që qeveritë shqiptare deri më tani, për 111 vite pavarësi, kanë mundësuar rrugën vetëm tek fshati i parë dhe vetëm për 6 muaj, tek fshati më verior e fundor, Thethi. Pjesa tjetër e Alpeve Qendrore Shqiptare në shekullin e XXI vazhdon të jetë në izolim të plotë rrugor, vetëm me shtegun e aksioneve të rinisë së vitit 1967.


Banorët e Dukagjinit e kanë bërë të qartë, se nuk duan asnjë shkapërdamje me projekte madhështore për ta lidhur Shkodrën me Gjakovën, duke kaluar tangencialisht në Dukagjin: Kërkohet kjartë dhe thjeshtë, ndërlidhja e brendshme e 3 njësive administrative të Bashkisë Shkodër dhe e një njësie administrative të Bashkisë së Vaut të Dejës. (Në kuadrin e rindarjes administrative të Shqiperisë, me krijimin e Bashkisë së Dukagjinit, Njësia Administrative Shllak dhe ajo e Nikaj Mërtur do të duhet t’i kalojë Bashkisë së re). Si shenjë e vullnetit të mirë, e seriozitetit dhe e angazhimit të njimendte të autoriteteve qëndrore do të kishte qenë lëvrimi i menjëhershëm nga ana e Bordit të Zhvillimit Rajonal i fondeve për projektin ekzistues të Bashkisë Shkodër të segmentit Prekal-Kir-Mali i Shoshit, i cili është ndërprerë pa asnjë shpjegim nga ana e qeverisë.
Rrugët duhet t’i parapraprijnë ndarjes së re administrative për t’i mundësuar më pas autoriteteve të reja të zgjedhura veprimtarinë.
Shkodër, me, 24 mars 2023

Nga | Prof. Dr. Romeo GURAKUQI

Nga | Prof. Dr. Romeo GURAKUQI Anetar i Akademise Shqiptare te Shkencave dhe Arteve