Anulohet, zyrtarisht, debati i dytë presidencial Trump-Biden

216

Është anuluar, zyrtarisht, debati i dytë presidencial midis presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat, Joe Biden

Komisioni jopartiak për Debatet Presidenciale konfirmoi, të premten, se aktiviteti, i 15 tetorit, nuk do të mbahej. Vendimi u mor një ditë pasi komisioni njoftoi se debati do të zhvillohej “virtualisht” meqenëse presidenti Trump ishte infektuar me koronavirus.

Presidenti Trump tha se nuk do të merrte pjesë në debat me një format të tillë, ndërsa ish-nënpresidenti Biden planifikoi një aktivitet me pyetje-përgjigje nga votuesit, drejtuar nga televizioni ABC News për atë natë, menjëherë, pasi Trump njoftoi se nuk do të merrte pjesë.

Ekipi i presidentit Trump, më vonë, u kundërpërgjigj me një thirrje për të mbajtur debatet siç ishin planifikuar pasi mjeku i presidentit tha se ai mund të mbante aktivitete publike duke filluar nga e shtuna.

Komisioni tha se nuk do ta kthente vendimin e tij për të mos pasur kandidatët në një sallë së bashku, duke përmendur si arsye kujdesin, nisur nga shqetësimet shëndetësore – veçanërisht për debatin që ishte planifikuar në një format me pyetje-përgjigje nga votuesit.

Debati i tretë, i parashikuar për në 22 tetor në Nashville, Tenesi, është ende i planifikuar të mbahet.