Vllaznia me një trajner të ri.

Skuadrat shqiptare vijojnë të jenë aktive në merkato, si në dalje, ashtu edhe në hyrje, duke nisur nga pankinat. Tomas Brdariç do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë.

Ish-futbollisti gjerman nuk është prezantuar ende nga kuq e blutë, por gjithçka po shkon drejt firmës me të, pasi ai ka zbarkuar në vendin tonë për të finalizuar marrëveshjen.

Brdariç është takuar me sponsorin e ri të klubit shkodran Alban Xhaferi, për të diskutuar në parim çështjet bazë të klubit. Pritet vetëm firma mbi kontratë. Burime brenda klubit kuqeblu, bëjnë të ditur se po përcaktohen detajet e fundit të marrëveshjes me trajnerin.

Më pas do të mendohet për merkaton e futbollistëve. Tekniku i ri ka studiuar skuadrën dhe ka bërë kërkesat e tij për ekipin. Nga ana e tyre, drejtuesit e klubit do të analizojnë çdo lojtar për t’ia paraqitur më pas teknikut.

Tomas Brdariç është kroat me origjinë, i lindur në Gjermani. Në karrierën e tij ka luajtur me Shtutgart, Leverkusen, Koln, Wolfsburg dhe Hanover. Është aktivizuar edhe me kombëtaren gjermane, madje ka shënuar edhe një gol. Ka drejtuar disa ekipe, mes të cilave edhe Shkëndijën e Tetovës.

Doktor Pipero i pret te gardhi rrethues qytetarët.

Qytetarë të grumbulluar që presin të dinë diçka më shumë për familjarët dhe mjeku i njohur dhe tashmë shumë i dashur për të gjithë Pëllumb Pipero që i pret jashtë gardhit rrethues.

Të shqetësuar dhe me qese ushqimesh në duar ata presin të marrin vesh diçka më shumë se çfarë ndodh brenda mureve të infektivit, pasi thonë se kishin më shumë se 36 orë që nuk kishin informacion.

Shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Shkodër.

Hoxha u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për të tri kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Sanxhaktari deklaroi gjatë se seancës dëgjimore se subjekti kishte bërë deklarime të pasakta të pasurive dhe burimeve të krijimit.

Gjithashtu u evidentua mungesë dokumentacioni për të provuar një pjesë të të ardhurave dhe burimin e dy huave.

Në seancë u identifikuan edhe dy raste kur subjekti kishte shqyrtuar çështje ku palë ndërgjygjëse kishte qenë një shoqëri ku punonte bashkëshorti, duke ngritur shqetësime për konflikt të mundshëm interesi.

Gjyqtarja Lindita Hoxha tha se me shpjegimet e saj u kishte dhënë përgjigje të gjithë problemeve të ngritura nga Komisioni.

Moti i keq trembi pushuesit në plazh.

Covid 19 solli dëme mjaft të mëdha në turizëm për këtë vit por si të mos mjaftonte edhe moti i pa qëndrueshëm po largon pushuesit nga zonat bregdetare.

Jemi në javën e parë të muajit gusht. Të vetmit që ndodhen në bregdet kanë ardhur për të shfrytëzuar rrezet e pakta të diellit.

Pjesa më e madhe e çadrave janë të mbyllura.Ulja e temperaturave dhe moti me vranësira dhe me erëra nuk po josh askënd për tu larë në det.

Një pjesë e atyre që kishin nisur pushimet tashmë po largohen por ka dhe nga ata që pavarësisht motit dhe covid 19 kanë vendosur ta shfrytëzojnë plazhin, pavarësisht situatës.

Vihen në pranga tre persona në Shkodër.

Tre persona janë arrestuar pasi kanë kundërshtuar punonjësin e policisë së rendit publik, duke hyrë në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër.

Policia e Shkodrës ka arrestuar 20 vjeçarin me iniciale EM, 55 vjeçarin PP dhe 66 vjeçarin RK banues në lagjen Skënderbeg Shkodër.

Të tre personat janë futur në ambientet e gjykatës për të kërkuar informacion, lidhur me caktimin e një seance gjyqësore pas një padie të bërë nga këto persona në Gjykatë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik.

Urdhri i Farmacistëve iu heq licencat 8 farmacistëve.

Urdhri i Farmacistëve iu ka hequr licencat 8 farmacistëve pasi në kontrollet e disa farmacive janë kapur duke ushtruar detyrë persona që nuk ishin farmacistë.

Nga mbikëqyrjet profesionale që janë kryer gjatë kësaj periudhe, disa subjekte farmaceutike janë gjendur në shkelje të rënda të legjislacionit farmaceutik, statutit të UFSH dhe Kodit Deontologjik Farmaceutik

Konkretisht:

1. Në farmacinë  “Ori Pharma” u gjend duke shërbyer një person jo farmacist

2. Në farmacinë “Ditë e Natë 5” u gjend duke shërbyer një person jo farmacist

3. Në farmacinë “Ditë e Natë” u gjend duke shërbyer një person jo farmacist

4. Në farmacinë “Ditë e Natë 8” u gjend duke shërbyer një person jo farmacist

5. Në farmacinë “Fiori” u gjend duke shërbyer një person jo farmacist

6. Në farmacinë “Farmanet Albania 12” u gjend duke shërbyer një person jo farmacist

7. Në farmacinë “Farmavitta 9” u gjend duke shërbyer një person jo farmacist

8. Në farmacinë “Farmacia Greke” u gjend duke shërbyer një person jo farmacist.

10. Farmacitë  e rrjetit ”Farma Net Albania” kanë të vendosura tabela “- 10 % për të gjitha produktet”

U janë hequr për një periudhë 3 vjeçare e drejta e ushtrimit të funksionit të drejtuesit teknik farmacistëve të 8 farmacive.

Xherdan Shaqiri prish marrëdhënien me këngëtaren shqiptare.

Aludimeve për një romancë mes Xherdan Shaqirit dhe Dhurata Ahmetajt, iu shtuan dyshimet në fund të Korrikut. Ende pa u konfirmuar zyrtarisht lidhja mes tyre mediat nisën të përflasim për një ndarje.

Dhe kur mendonim se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, disa foto të fundit të futbollistit, i cili shfaqet në një jaht luksoz në shoqërinë e disa femrave dhe tejet mase i kënaqur na bënë të lindin dyshime. I rrethuar nga femra të cilat duke se e kanë përqendruar të gjithë vëmendjen tek ai, Xherdan Shaqiri duket tejet në formë me muskujt e tij dhe i veshur me një palë rroba banjo në ngjyrë të kaltër.

Nuk e dimë nëse këto foto kanë ndikuar në marrëdhënien me Dhurata Ahmetajn por kujtojmë se ata nuk kanë reaguar kurrë rreth lajmeve për romancën e tyre dhe nuk mund të themi me siguri se çfarë ka ndodhur.

Dhurata prej kohësh nuk ka qenë aktive në tregun muzikor dhe disa muaj më parë u raportua se është tërhequr për një pushim të gjatë, teksa është tejet aktive në rrjetet sociale.

Koronavirusi në Shqipëri, ja shifrat në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike të Covid19.


Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 531 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ku 127 persona janë konfirmuar të prekur nga virusi Covid 19.


Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 36 raste në Tiranë, 28 në Krujë, 15 në Durrës, 8 në Has, 5 në Kukës, 4 në Fier, nga 3 raste në Shkodër, Korçë, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, nga 2 raste në Lezhë, Përmet, Klos, Shijak, Finiq, nga 1 rast në Kurbin, Lushnje, Berat, Tepelenë, Kolonjë, Malësi e Madhe.



250 familje ‘thahen për ujë’, banorët ngrihen në protestë.

Vetëm 2 km larg larg qytetit të Korçës prej më shumë se 30 vitesh banorët e fshatit Barç vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Edhe pse kanë shumë vite që ankohen për këtë problem banorët e fshatit nuk kanë gjetur zgjidhje nga autoritet dhe për këtë arsye janë ngritur në protestë.

Fshatarët e fshatit Barç, bashkërisht rreth 100 firmëtarë kanë drejtuar një peticion në institucionin e Bashkisë Korçë. Problematika e rrugës është për të gjithë fshatin. Fshati ka rreth 250 familje që shkon në rreth 2000-2200 banorë në total. Rruga siç e thamë, kanalizimet qoftë të ujërave, qoftë të shirave që prishin rrugën në qoftë se bie shi i rrëmbyer, janë të gjitha të pa kanalizuara, janë të gjitha të pasistemuara”, deklaroi njëri nga banorët.

Janë rreth 2000 banorë që vuajnë  mungesën e ujit të pijshëm, mungesën e rrjetit të kanalizimeve, infrastrukturen e dobët, ndërsa familjet që jetojnë në këtë zonë thonë se here pas here ka dhe shkëputje të energjisë elektrike.

Po të vejmë tani në çdo shtëpi e të hapim rubinetin nuk ka ujë. Kanalizime nuk ka, ujë nuk ka, asnjë gjë s’ka. Ndriçim paguajmë, gjelbërim paguajmë, plehrat i paguajmë, asnjë shërbim nga bashkia nuk na vjen“, thotë një tjetër banor.

Ky fshat për 30 vite me rradhë nuk ka njohur investime, ndërsa banoret shprehen se mungesa e tyre është arsyeja kryesore që ata gjenden sot në te tilla kushte. Edhe pse me burime të shumta ujore në këtë fshat uji mungon si pasojë e ujësjellësit të amortizuar.

Unë e paguaj ujin, më vjen uji 12 mijë në muaj dhe ujë nuk kam asnjë orë. Problemi kryesor i banorëve të fshatit Barç është uji i pijshëm. Vetëm një orë në ditë kemi ujë të pijshëm. Tani të zgjidhen këto probleme, nuk po kërkojmë as punësim, asgjë tjetër, vetëm ndriçim, ujërat e zeza, ujin e pijshëm“, tha njëri nga banorët.

Banoret thonë se nuk do të heqin dorë nga protesta deri në plotësimin e kërkesave të tyre pasi deri më sot kanë qenë taksapagues të rregullt  Në protestë morën pjesë një numër i ulët banorësh për shkak të situatës së krijuar nga Covid, por mjaftueshëm për të përcjellë problemet e 250 familjeve të fshatit Barç.