Banorët u përplasën me policinë, IKMT tërhiqet nga aksioni

455

Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit tërhiqet nga aksioni për të shembur banesën në zonën e “Petro Nini Luarasit” në Tiranë, pas kundërshtimit të banorëve.

Për disa orë vijuan përplasjet mes policisë dhe banorëve. Ndërhyrja e IKMT erdhi pas një vendimi të gjykatës për t’i kthyer tokën ish-pronarit.

Nga ana tjetër, 4 familjet që jetojnë në këtë banesë, thonë se pronësia u njihet po ashtu me vendim gjykate dhe nuk pranojnë të flaken në rrugë.

Kjo ka sjellë përplasje fizike me policinë, e cila tentoi t’i nxirrte nga banesa me forcë disa prej anëtarëve që qëndronin të ngujuar.

Po ashtu, familjarët që jetojnë në këtë banesë, tentuan të djegin edhe banesën duke i vënë flakën. U desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të shuar zjarrin. Për shkak të situatës së krijuar pati dhe të shoqëruar nga policia.