424 kg hashash në Igumenicë, një shqiptar në pranga

603

Nuk ka fund droga nga Shqipëria. Një sasi prej 424 kg hashash është kapur dhe sekuestruar nga policia greke në Igumenicë, pas një operacioni të përbashkët me forcat e Marinës detare, gjatë të cilit është arrestuar edhe një shtetas shqiptar.
Policia e Prevezës kishte marrë informacione për një gomone të ngarkuar me lëndë narkotike dhe ka kërkuar ndihmën e 6 skafeve të Marinës detare nga Korfuzi dhe Lefkada.
Operacioni është zhvilluar rreth orës 2 të mëngjesit sonte, kur gomonia me drogë e cila ishte nisur nga brigjet shqiptare është shfaqur në gjirin pranë Platarjasë.
Bëhet me dije se policia ka ndërhyrë në momentin kur drejtuesi i saj, një 42 vjeçar po e lidhte barkën në mol për të nxjerrë drogën, duke kryer arrestimin e tij dhe sekuestrimin e 32 pakove të lëndës narkotike të llojit hashash.
Skafisti shqiptar është çuar në Gjykatën e Thesprotisë ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Ai akuzohet për trafikim të organizuar të drogës, ndërsa hetimet paraprake për hetimin e plotë të çështjes kryhen nga Departamenti i Sigurisë së Prevezës.