Sot dita e të gjithë shejtërve, Shqiptarët kanë shumë arsye që të festojnë këtë ditë.

989

Kaledari liturgjik i Kishës Katolike kremton sot ditën e tanë shêjtëve, atyne personave që e kanë jetue Krishtin qysh në jetën toksore, tue i qëndrue besnik pavarsisht vështërsive dhe sot gëzojnë shpërblimin e lumnisë të përhershme në Parrìz. Në fakt, ushtria e madhe e shêjtënve të çdo kohe e hapsine, me modelin e tyne të jetës na kujton se ata janë prova mâ elokuente e vërtetësisë dhe plotësisë të hirit të Zotit në Kishën Katolike e ftesë e vazhdueshme për besimtarët e saj me e predikue me vepra, sjellje e dëshmi të kristaltë kët fè shëlbuese. Në gjuhën shqipe kena nji lutje të jashtëzakonshme që thotë “Unë prej Zotit jam i Kshtenë” e cila në çdo varg të saj, përpos faktit që dëshmon e sintetizon hirin e të kenunit i kshtenë, ka mbrenda vedit shtysën energjike të shêjtë, të kolaudueme në shekuj persekutimi, për mos me censurue kurrë bâjmin e Krishtit në altaret profane të leverdive të rastit, por me e shpallë me forcë të ripërtrime e të përvuejtme gzimin mâ të madh të njrit, i lidhun në mënyrë të pazgjidhshme me krijuesin, Krishtin Zot.

Shêjtnit janë ndërmjetësit tonë pranë Krishtit, të cilët nuk prâjnë çdo ditë tue bâ mrekullina në përmbushje të lutjeve tona të bâmuna me fè e besim të patundun. Ata janë edhe “gjeneralët” drejtues të luftës tonë permanente si “ushtàr” të Krishtit kundër mëkatit të mbrendshëm personal e strukturave të mëkatit që fort janë të kristalizueme në shoqnitë aktuale pagane e antikristiane.

Sa shêjtnì kena pasë fatin me ndie e me pà edhe në Shqipninë tonë të vogël, mbijetesa e të cilës âsht sigurue kryekëput prej gjakut të martirëve të kshtênë qysh me predikimin e Shën Palit në trojet tona. Gjuha e bukur shqipe, alfabeti i saj, ngjizja e kombit shqiptàr âsht krijesë autentike e ushtrisë të madhe të martirëve shqiptar të kshtênë në rrugëtimin e historisë dhe aspak aksident i ndonji evolucioni spontan siç mendohet gabimisht edhe mbrenda vetë pjesës katolike të helmueme prej propogandës të antikrishtit otoman.

Âsht feja e Krishtit që i ka dhanë shtat e linfë vitale kombit shqiptar dhe jo e kundërta dhe nji shqiptàr autentik i plotësuem në tana “parametrat” identitàr, herët a vonë duhet ta përballë e konfrontojë lirinë e tij personale me këtë të vërtetë elementare e shëlbuese. Nji komb që pretendon me censurue origjinën e historisë të tij e me u metamorfuzue e bazue në mite “konsensuale”, sikurse âsht modeli i degraduem i shqiptarisë, nuk ban gjâ tjetër veçse çertifikon agoninë e tij përmanente. “Ingredienti” i fesë së Krishtit, pra, fesë katolike, âsht përbamësi i padiskutueshëm e themelòr i kombit shqiptar, pa të cilën ai nuk mund të ekzistojë si i tillë. Nji shtet apo entitet shtetnòr, sigurisht ekziston pa referenncën e kshtenë e madje tashmâ âsht rregulli i përgjithshëm me pasë mbrenda tij shprehì të ndryshme kulturale, por ideja e shtetit moderrn me i dhânë këtij entiteti shtetnòr edhe “çertifikatën“ e kombit, âsht krejt e gabueme dhe nuk i korrespondon situatës faktike, mbasi ai “shteti” kërkon me homogjenizue e rrafshue identitetet e pjestarëve të vet për shkak të logjikave të sundimit të kollajtë.

Kjo lofhikë përfton “fenë” shtetnore me mekanizmin e vetë të dhunës e klerikët e saj imponues e totalitar.
Në rastin shqiptar, imitimi apo shimiotimi i shtetit moderrn ka dhanë rezultate katastrofike, tue mjegullue edhe përceptimin apo vetëpërceptimin e qytetarëve të saj, kjofshin intelektual apo njerëz të thjeshtë mbi komceptet e kombit, të fesë e raporteve mes tyne. Debati publik mbi këto tema âsht i mbarsun me nji skizofrenì evidente, pasqyrë e nji konfuzioni të mbrendshëm shpirtnòr e madje edhe kontributi i disa katolikëve shqiptàr âsht i plazmuem me “mirëkuptimin” e nji qasje sinkretiste, minimaliste e pragmatike, tue u kacavjerë te ndonji “mit konsensual”, i cili ka konsolidue premisat e nji dialogu shtjerpë e permanent, pavarsisht prej emërtimit që ai mund të ketë: ndërfetàr, ekumenik apo mbarëshqiptar.

Vërtetë âsht e dhimbshme të konstatosh që akoma nuk kuptohet mirë e qartë se feja Katolike âsht mbartëse e garante qysh në gjenezën e saj e laicitetit, dallimit mes të drejtave të Zotit e atij të Cezàrit, respektit të diversitetit, tue ofrue ajo vetë nji horizont shpegues e jetues të sensit të jetës dhe shêjtnit e saj në histori deri te Martirët e persekutimit Hoxhist e te Nana Jonë Terezë, janë dëshmia radikale e kësaj të vërtetë sublime.

Shêjtnit janë modeli ma i mirë ilustrues i mundshëm i domethanies edhe të konceptit të atdheut mbasi na kanë kallxue me shembullin e tyne konkret se dashnia e përkushtimi për atdheun tokësor merr kuptim për sa kohë që kena shpresën me banue atdheun e përhershëm qiellor. Pa perspektivën e arritjes të atdheut qiellorë, jeta jonë i ngjan nji orvatje autoreferenciale në labirinthet e ferrit tokësor ku dominon ankthi për mbijetesë, për rendje ndaj mirazheve të rrejshme të botës e zaptimit edhe fizik të cdo cepi të tokës tonë të përbashkët.

Prandej, ta kuptojmë mirë mesazhin e ditës të shêjtëve, e mos të biem prej e kulturës të mosbesimit e cila gjithmonë konfirmohet prej idhujve të botës. Po ashtu ia vlen që mos ta reduktojmë e ngatërrojmë fenë e Krishtit më “pazarin” e ideologjive të tjera me natyrë fetare që “ofrojnë” idetë e mendimet e tynë ndaj kërkimit të sensit të përtejmë, i pranishëm të çdo njeri. Feja katolike âsht kryesisht takim personal e mândej komunitàr me Krishtin Zot në shpinë e tij, pra në Kishë, ku marrim sakramentet e shêjta, të cilat janë mrekullia e përditshme e epifanisë “dëftimit” të Zotit. Në gurrën e pashterrshme të këtyne sakramenteve janë ushqye Shêjtnit që na paraprijnë në Parrìz dhe t’u lutena aynë ta imitojmë jëtën e tyne tokësore dhe ta kena hirin me e thanë të vërtetën liruese dhe elementare.

E vërteta, përfshì edhe ajo që përmenda mâ nalt në lidhje me rolin e shêjtënve shqiptàr në krijimin e kombit tonë me bâjmin e Krishtit, të kanonizume dhe të pakanonizueme, si Gjergj Kastrioti, Patër Gjergj Fishta, kurrsesi nuk mund të përkthehet si arrogancë, por âsht shprehja mâ e naltë e rrespektit dhe promovimit të kulturës të së vërtetës për krejtë qytetarët e shtetit shqiptàr, nji pjesë e të cilëve, jo për fajin e tyne, akoma nuk e kanë plotësinë e të kenunit shqiptàr me tana “parametrat” që nji përkatësì e tillë kërkon.

Shembulli i këtyne ditëve i Asia Bibi-it në Pakistan që tue pwballue nji përsekutim të papërshkrueshëm ka mbrojtë fenë e Krishtit, tue kenë e gatshme me pranue edhe martirizimin e gjakut, mendoj se âsht rast i volitshëm rreflektimit për çdo katolik shqiptàr që ndien se ka në damartë e gjakut të vet vazhdmisinë e asaj shêjtnie qëndrestare të trasmetueme prej paraardhësve të tyne martir.

Të parët tonë që nuk e prishen gjakun përballë çdo lloj persekutimi mizòr e gjakatar, vetëm për të konfirmue besnikërinë ndaj fesë të tyne të shêjtë, duhet të jenë ylli jonë polàr për me kultivue modelin e shêjtnisë së vërtetë e dashnisw ndaj tjetrit. Mos të harrojmë se kultvimi i shêjtinisë âsht i lidhun me pranimin e kryqit shëlbues të Krishtit, të kryqeve të përditshme të keqkuptimeve, të thashthemeve vrastare, baltosjeve inatçore, xhelozive mjerane, madje edhe të dhunimit e përjashtimit fizik të njirit.

Në kohën aktuale ku nuk mungon tw manifestohet hapun apostazia në idè e veprime edhe mbrenda vetë disa njerëzve të padênjë e të shuguruem të Kishës Katolike, sikur kronikat e shumta fatkeqwsisht na kallxojnë, tue krijue konfuzion e hutim tw natyrshwm ndër besimtarë të devotshëm, nevoja me iu drejtue hirit të shêjtënve e imitue modelin e tyne âsht imperativ e gati kategorik. Kisha Katolike âsht gjithmonë e shêjtë, pamvarsisht nji pjese të “personelit” të saj tranzitòr, sepse në krye të saj âsht Krishti me bazën e ushtrisë të shêjtënve, të cilëve vetë Ai u ka dhânë hirin e ngjallënjimit ndaj të keqës.
Martirët e Kishës tonë e Nânë Tereza, lutuni për nè.

Nga Nesti ZEFI

Martirët e Kishës e Nânë Tereza, lutuni për nè