OPOZITA NUK JEP SHPRESË, NUK KA FRYMË. PIKË.

240

Le të fshihemi pas gishtit sa të duam. Kush nuk pranon këtë, ka logjikë të dobët dhe është militant i thekur partie.

PS ka ndërtuar sistem, është shndërruar në makineri të frikshme elektorale, sa ata e dinë sa bashki do marrin përpara ditës së votimit.

Dhe e vetmja formë që kjo makineri të shkatërrohet është FRYMA, që nuk vjen vetëm me votë demokratësh në këtë rast, por vjen me votë të demokratëve, socialistëve dhe atyre të paparti.

Elektorati gri përsëri nuk doli në votime. Sepse nuk pranon të japë votën tek Rama dhe nga ana tjetër nuk e bind as opozita. Numri i atyre që votuan është më i ulti ndonjëherë, ç’ka tregon se shumica nuk voton, se nuk është FRYMËZUAR nga opozita. Nuk e beson atë.

Sali Berisha duhet të kuptojë që koha e tij politike ka përfunduar. Ai mund të ketë shumicën e demokratëve me vete, por nuk ka shumicën e shqiptarëve, pasi pa votën e socialiatëve, pa votën e elektoratit gri ai s’mund ta mundë Ramën. Plus në këtë betejë Berisha humbi edhe Shkodrën, përveç se nuk fitoi Tiranën, Durrësin, Elbasanin.

Humbja trekëndëshit Tiranë, Durrës, Elbasan, paralajmëron atë që do ndodhë në 2025-ën, pasi kush merr këto qytete, ka në dorë qeverinë e ardhshme që do krijohet pas 2025-ës.
Në mendimin tim një Ramë Kryeministër pas 2025-ës, do jetë fatale për demokracinë e Shqipërisë, të ardhmen e saj.

Unë jam i sigurt që PD ka shumë figura të reja, njerëz të cilët mund të ngrenë frymë, por PD-ja aktuale s’mund ta bëj. Këtë e treguan këto zgjedhje. Nëse nga ky rezultat nuk nxirren mësime, duke u tërhequr nga politika aktive garda 20-30 vjeçare, 2025 nuk do të ketë histori.

Lider nuk është vetëm të jesh aktiv në politikë prej 30 vitesh, por do të thotë edhe të tërhiqesh, të pranosh verdiktin e votuesve, atyre që kanë votuar, por edhe atyre që s’kanë votuar, të cilët të kanë dërguar mesazh të qartë.

Unë mendoj se Rama është e keqja më e madhe e këtij vendi, vazhdimisht kam qënë dhe do jem në opozitë me cilëndo qeveri, por ata që votuan, zgjodhën të mbajnë Ramën dhe jo Berishën e Metën.

Shqipëria më shumë se kurrë kanë nevojë për një opozitë të re, (rasti i Kosovës) përndryshe jemi fare pak kohës kur Ramën ta shpallim mbret.

E fundit, pas 32 vitesh demokraci, duhet të mbahet përgjegjësi për rezultatin katrastofik që është marrë nga opozita. Ky është rezultat i frikshëm që e fut Shqipërinë në një rrugë të rrezikshme dhe nuk ka justifikime. Të thuash më vodhën, s’ta beson më njeri.

Uroj shumë që të ketë reflektim nga drejtuesit aktual të opozitës dhe të marrin vendimet e duhura në të mirë të Shqipërisë, sepse “të duash, ndonjëherë është edhe të heqësh dorë”.

Opinionin nga | Osman STAFA