Për çfarë e do dialogun Rama?! Për fasadë?!

377

Pa u tharë boja e letrës së dytë, ja nxori vetes bojën fallco që i kish vënë atyre letrave të mllefosura. Duke iu përgjigjur CDU/CSU, të cilët nuk njohin zgjedhje moniste, Kryeministri nuk pranon të shtyjë zgjedhjet lokale.

Atëherë për çfarë e do dialogun?! Për fasadë?!

Nejse,

Vazhdoj të insistoj se vendit i duhet një datë zgjedhjesh parlamentare që të ri-ngrihet Parlamenti pluralist. Nuk ka e s’mund të ketë asnjë detyrë apo reformë tjetër për t’u bërë pa Parlamentin Pluralist.

As dialog politik s’mund të ketë kur parlamenti është monist dhe jashtë standardit të një Republike kushtetuese Parlamentare. Ligjet e këtij Parlamenti janë të papranueshme demokratikisht. Shkeljet Kushtetuese në veprimtarinë e këtij Parlamenti janë rutinë.

Ndaj produkti i këtij parlamenti monist, kur populli nuk i përket një partie të vetme është nul. Madje për mua as qeveri teknike s’mund të ketë pa parlamentin pluralist.

Reforma e ligje të reja, jo e jo! Të rikthehet parlamenti pluralist njëherë pastaj zgjidhim të tjerat. Për këtë duhet vetëm një datë zgjedhjesh parlamentare.

Asgjë tjetër! Asgjë më shumë se kaq nevojitet në këtë moment.

Këtë gjë e ka në dorë vetëm Kryeministri, askush tjetër as brenda e as jashtë Shqipërisë. Vetëm Ai e çon vendin në zgjedhje politike parlamentare. Të tjerat, përfshi dhe debatin deklarativ për zgjedhjet lokale, nuk zgjidhin krizën.

Përkundrazi e thellojnë edhe më keq.

Nga Ylli Manjani