Thethi, ëmbëlakja e asaj bukurie të ashpër që na deh dhe na magjeps…

525

Këto ngasje të kësaj bukurie të ashpër dhe dehëse të natyrës i përkasin asaj çfarë të rrok ndërsa i nepesh një prej atraksioneve më të epshme, Thethit, atij destinacioni të cilit edhe pse i kanë zvetnuar shpirtin, sërish mbetet miklues, rrëmbyes, i ëndshëm.

Notimi nëpër re i shpatit, kah syri hidhet në krahët e shastisjes dhe hutimit, është ajo qasje që i bashkëngjitet asaj ndjenje, asaj yshtje idlike, që të godet duke të të përfshirë në atë joshje që e bën çastin një prekje në kurmin e epshët të natyrës, kësaj të mundshme të egër që ashtu siç të ngas në një përjetim, të trand dhe të platit.

Çfarë të shpërfaqet para syve, rreket të të ngjasojë me një udhëtimi në ëndërr, me një kalamendje në ato ndjesi dhe përjetime, të cilat i nënshtrohen këtij kumtimi .

Rendim me ëndjen e shastisjes dhe asaj heshtje që të kolovit në mistikën e këtyre grishjeve shkëmbore dhe kësaj joshjeje dehëse, të asaj ëndje që të magjeps dhe sakaq hyjmë në zemër të jehonës, në thelbin e asaj me çfarë vetë krijuesi ka bujarinë të na shpërblejë.

Gjithçka në këtë panoramë të thekshme të këtyre maleve ngulmon të tregojë në epjen e vet shitane përnga qielli, thellësi që të përpin, kaltërsi që thyen çdo penel dhe sfidon çdo përfytyrim.

Ato shkëmbinj që i shkrep dielli, ato re që i zbardh ëndja, janë çfarë ne kemi nevojë, çfarë na bën të ndjeshëm, aq të brishtë sa dhe delikat përballë kësaj kapardijes therëse malesh.

Majëmalesh të formëzum përmes një procesi të kahershëm e të pandalshëm eroziv, nguten me shpërfaq atë që me kujdesin e paepur ka mundu me sendërtu koha, në përleshjen e vet epike me shiun, borën, akullin dhe erën.

Na rendim për me mbërri, me beh në kraharorin e këtij manifestimi, e çajmë përmes reve dhe dehjes që të mundim me kap me sy e me fiksu me admirim kandje të shumllojshme që kjo panoramë e ashpër difton, si një vashë që e lëshon veten dorzan dëshirimit me u shkreh në krahët e një pasioni duhitës.

nga Albert Vataj