Ermal Meta është ndër këngëtarët i cili ka treguar përmes këngës vuajtjet e tij dhe anën që askush nuk arrinte t’ia shikonte.
Ndërsa sot është një nga artistët më të dashur edhe në Itali, dikur jeta e tij nuk ka qenë kaq e lehtë.
Sot më 1 qershor ai do të bëhet pjesë e festës në Tiranë, por përpara spektaklit të mbrëmjes, Ermali ka mbajtur një konferencë përpara fansave dhe mediave, për të folur për historinë e tij.
Ermal Meta tregoi që para se të takohej me muzikën shiste gazeta, por ndërkohë mendja e tij shkonte gjithmonë te pasioni.
“Kur isha 14 vjeç shisja gazeta në semaforë dhe ngaqë nuk e dija që boja linte gjurmë, kur prekja fytyrën bëhesha sterrë i zi. Kur shkoja në shtëpi mamaja gjithmonë më pyeste, “ku ke qenë?”.
Unë i thosha që isha në punë, por thoshte që nuk më besonte”, tregoi Meta.
Më tej ai kujtoi se pavarësisht të gjitha vështirësive nuk hoqi kurrë dorë nga ëndrra e tij për muzikën dhe për të kënduar.
“Duart i kisha atje në punë, por mendja ishte në vend tjetër. Çfarëdolloj eksperience pune që kisha, mendja shkonte te muzika.
Çdo njeri që takoja ishte një histori. Secili i ka historitë brenda, mund t’ia lexosh pak në sy, por jo gjithmonë.
Kështu që pjesën tjetër e shpikja dhe pastaj e shkruaja. Shkoja në shtëpi e shkruaja këngë, e ndjeja urgjencën e krijimtarisë.
Fillimisht kisha më shumë me pasion pianon sesa kitarën. Kur theva këmbën në basketboll, i thash një shoku të më sillte një kitare, ta mësoj. Aty zbulova një botë tjetër”, u shpreh Ermal Meta.
Eurovizioni
Ermal Meta tha se shqiptari që këndoi më mirë në Eurovizion këtë vit, ishte Eugent Bushpepa.
Ermali rrëfeu se ka bërë një sherr për faktin që Italia nuk i dha asnjë pikë Shqipërisë në votimin profesional të jurisë.
“Ishte një event i rrallë që ishin 3 shqiptarë në Eurovizion. Eugenti ka zë të mahnitshëm, nga të tre, ishte ai që këndoi më mirë.
Ju falënderoj për pikët që më dhatë. Më erdhi turp nga Italia dhe të them të drejtën kam bërë një gjysmë sherri për këtë”, u shpreh Ermali para se kreu i bashkisë
Erion Veliaj, ta ndërpriste për t’i thënë: “Për këtë do të na flasësh në prapaskenë”.
Pyetjes: “A je krenar që je shqiptar?”, Ermali i dha këtë përgjigje: “Është pyetje që do përgjigje shumë të thjeshtë: Jam shumë krenar që jam shqiptar.
Një fëmijë nuk e zgjedh atdheun ku do të lindë, por nëse unë do të lind sërish e do të kem mundësi të zgjedh, do zgjidhja prapë të lindja këtu”.
Megjithatë pavarësisht se është krenar që është shqiptar, Ermali u pyet gjatë konferencës se përse nuk ka bërë një këngë në gjuhën shqipe.
Këngëtari shqiptar tha se ka bërë 2-3 këngë shqip, por nuk i ka publikuar pasi gjuha shqipe është shumë e pasur dhe ndonjëherë bëhet e komplikuar me titujt.
“Kam shkruar disa këngë në shqip, por jam rritur në Itali dhe zhvillimin e kreativitetit nga ana e gjuhës e kam
bërë në italisht dhe ndonjëherë më bëhet e vështirë të shkruaj në shqip. Gjuha jonë është e pasur me tinguj dhe ndonjëherë bëhet e komplikuar.
Kam bërë dy-tre, por kam nevojë ta studioj në mënyrë më të saktë”. /a.s/dita