MEPJ dorëzon në Presidencë përgjigjen e dytë, Rama-Meta takim kokë më kokë

512

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dorëzuar sot në Presidencë përgjigjet e kërkesës së dytë të kreut të shtetit për detaje të marrëveshjes me Greqinë dhe saktësimin në harta të ndarjes së kufirit detar, shoqëruar edhe me dokumentacionin përkatës.
Burime nga Presidenca konfirmojnë se dokumentacioni është dorëzuar në këtë institucion rreth orës 18 të mbrëmjes së sotme. Më herët, Kryeministri Edi Rama është takuar në Presidencë me kreun e shtetit, Ilir Meta.
Stafet e Kryeministrisë dhe Presidencës janë rezervuar për të dhënë detaje rreth takimit, por kanë konfirmuar se tema e diskutuar ka qenë dhënia e autorizimit për negociatat me Greqinë.
Presidenti Ilir Meta në deklaratat e mëparshme është shprehur se komunikimet do të jenë institucionale për këtë cështje të mprehtë, por në takimin e sotëm që zgjati për rreth 60 minuta, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri janë takuar kokë më kokë me dyer të mbyllura në ambientet e Presidencës.