Një grup anarkistësh ka marrë përsipër përgjegjësinë ndaj sulmit të automjetit personal të oficerit të kontaktit të Konsullatës së Shqipërisë në Selanik, Renaldo Ndoni, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës së kaluar.
Për këtë fakt është lajmëruar nga autoritetet policore të Selanikut edhe Konsullata shqiptare.
“Akti i vendosjes së një mase shpërthyese në automjetin me targa diplomatike CD 54-15 është kryer në shenjë solidaritetit ndaj grevës së urisë që ka shpallur i burgosuri anarkist, Kostas Jatzoglou”, thuhet në njoftimin e anarkistëve grekë.
Bëhet fjalë për 29-vjeçarin e arrestuar me akuzën që ka vendosur një pako bombe në makinën e ish-kryeministrit grek, Lukas Papadhimos, e cila pas shpërthimit ka shkaktuar edhe plagosjen e tij. Jatzoglou ndodhet në ditën e nëntë të grevës së urisë,
Prej disa ditësh janë arrestuar disa persona në Athinë dhe Selanik të lidhur me sulme të marra përsipër nga grupi “Anarkistët-Anarkistët”. Madje, pas një sulmi ndaj një grupi të policëve të forcave të ndërhyrjes së shpejtë në mëngjesin e së enjtes, anarkistët kane parlajmëruar se do të derdhet gjak nëse i burgosuri Jatzoglou do të humbasë jetën.
Pavarësisht marrjes së përgjegjësisë për sulmin ndaj automjetit të zyrtarit shqiptar organet policore kanë deklaruar se hetimi për gjetjen e autorëve vazhdon.