Akuzohet për "mashtrim", arrestohet ish prefekti i Fierit, Bujar Hasa

525

Bujar Hasa, ish perfekt i Fierit u arrestua sot nga Policia e Tiranës, i akuzuar për “mashtrim”. Hasa akuzohet se në bashkëpunim me një tjetër person ka mashtruar 2 persona, një me shtetësi kanadeze dhe tjetrin me shtetësi shqiptare, duke u marrë rreth 300 mijë dollarë në total. Arrestimi i tij është bërë pasi gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për mashtrim. Urdhri i arrestit është ekzekutuar sot nga Policia. 
Njoftimi i Policisë
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore 8 mujore, ka bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit “Kanadezi”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: 
Bujar Hasa, 57 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
Gjithashtu në lidhje me këtë procedim, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit P.P.
Arrestimi i të sipërpërmendurit u bë pasi ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin P.P., kanë mashtruar më anë të falsifikimit të dokumentave, shtetasin Kanadez B.H., duke i marrë një shumë prej 260 000 (dyqind e gjashtëdhjetë mijë) dollarësh dhe shtetasin shqiptar D.M., duke i marrë një shumë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) Eurosh 
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën “Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumentave i kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 143/3 e 186/2 e Kodit Penal”.