Sipas mediave kosovare dyshohet se një pjesë e sasisë së kokainës së sekuestruar në Durrës në 28 shkurt, është porositur nga grupe të fuqishme nga Kosova, të cilët qëndrojnë në Zvicër. Koha.net shkruan në fakt se këto grupe veprojnë në tregun e narkotikëve në Zvicër dhe janë porositësit e një pjese të kokainës që u kap në Maminas të Durrësit mes datave 27-28 shkurt, sipas dyshimeve të grupit hetimor të çështjes ‘Kokaina” që po hetohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e 613 kilogramëve kokainë kishte si treg kryesor kryeqytetin e Gjermanisë, Berlinin.
Më tej dyshimet bazohen dhe në faktin se udhëtimet e shpeshta, 6 herë brenda muajit të Donald Lushajt për në Kosovë me dy automjete të ndryshme kanë bërë që grupi hetimor të arrijë në përfundimin se një pjesë e kokainës do të dërgohej edhe në Zvicër.
Donald Lushaj dhe shoferi i kamionit që transportonte kontejnerin me banane ku ishte fshehur kokaina, Armando Pezaku, janë arrestuar nga policia ditën e operacionit.
Për këtë operacion një ditë më pas raportoi dhe media kolumbiane SIPSE.com sipas të cilës lajmi i konfirmuar ga agjencia shterërore e lajmeve në Kolumbi, NOTIMEX, sekuestrimi i 613 kilogramë kokainë në Durrës që ishin fshehur në një ngarkesë me banane, ndodhi falë një operacioni të koordinuar mes Armatës Kombëtare të Kolumbisë, Agjencisë ndërkombëtare të inteligjencës dhe policisë shqiptare.
Dita e Verës, Elbasani blindohet me forca speciale
Është shtuar vemendja për ditën e verës në Elbasan, për shkak se në këtë qytet ka mbërritur kabineti qeveritar për të zhvilluar një mbledhje dy ditore. Policia lokale ka hartuar një plan të rreptë masash për të siguruar qetësinë dhe rendin publik dhe shmangur incidentet e mundshme.
Sipas njoftimit zyrtar, 321 forca policore do jenë të angazhuara dhe do të ndihmohen edhe nga forcat speciale të Tiranës. Shumë rrugë do të jenë të bllokuara dhe aty nuk do të lejohet lëvizja apo parkimi i mjeteve.
Ndër to janë bulevardi “Aqif Pasha”, nga Stadiumi deri tek 1 Maji. Në zonen prej stadiumit e deri tek “Pallati i Sportit” nuk do të lejohen parkimet apo qëndrimi i mjeteve. Mjetet e tonazhit të rëndë nuk do të lejohen të qarkullojnë në rrugën Elbasan-Librazhd.
Bombë dhe të shtëna me armë zjarri në Gaza, plagoset Kryeministri i Palestinës
Një shpërthim i fuqishëm është verifikuar në afërsi të autokolonës që shoqëronte kryeministrin palestinez Rami Hamdalla dhe shefin e inteligjencës, Maxhid Frej në Rripin e Gazës.
Sipas mediave lokale, dy zyrtarët kanë mbetur të plagosur. Pas shpërthimit janë raportuar edhe të shtëna me armë zjarri në drejtim të kryeministrit dhe shefit të inteligjencës. Gjithashtu nga kjo ngjarje mbetën të plagosur rëndë dhe dy kalimtarë.
Policia e Hamas njoftoi se ka arrestuar dy të dyshuar lidhur me sulmin në fjalë. Megjithatë, presidenca palestineze ka akuzuar organizatën Hamas si përgjegjëse për atentatin.
Pavarësisht plagëve të marra, Kryeministri palestinez Hamdalla ka vijuar me vizitën e tij në qytetin e Gazës.
Opozita në Turqi: Ligji i ri elektoral i aprovuar në Kuvend, mundëson manipulimin e zgjedhjeve
Parlamenti i Turqisë aprovoi një ligj të ri për rregullatorin elektoral, duke u mbështetur në legjislacionin e kontestuar, për të cilin opozita thotë se e hap derën manipulimit dhe pengon paanshmërinë e zgjedhjeve të 2019-ës.
Pasi zëvendëskryetarja e kuvendit, Aysenur Bahcekapili njoftoi rezultatin e votimit, një sherr masiv filloi brenda sallës mes ligjvënësve nacionalistë dhe atyre të opozitës. Disa deputetë u dhunuan me grushte dhe në pamje shikohen teksa ndjekin njëri-tjetrin.
Legjislacioni zyrtarisht lejon krijimin e aleancave elektorale, duke i hapur rrugën kështu një marrëveshje mes partisë qeveritare të presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe aleatëve nacionalistë. Miratimi i tij nuk ishte një surprizë pasi zotëronte mbështetjen e Partisë Drejtësi dhe Zhvillim “AKP” dhe Lëvizjes Nacionaliste “MHP”. Por nga ana tjetër, kritikët qeveritarë kanë dhënë alarmin për ligjin e ri.
Ai i jep autoritet Bordit të Lartë Elektoral që të bashkojë distrikte elektorale dhe të lëvizë kutitë e votimit për në vende të tjera. Fletët e votimit do të jenë të vlefshme edhe pa vulën e bordit elektoral lokal, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë një vendim që në referendumin e vitit të kaluar shkaktoi një protestë të gjerë midis kritikëve të qeverisë dhe shqetësimit nga monitoruesit e zgjedhjeve. Ligji i ri lejon gjithashtu qëndrimin e forcave të sigurisë në qëndrat e votimit dhe numërimit.
Aksidenti me autobusin me nxënës në Skrapar, arrestohet shoferi
Policia e Skraparit arrestoi mëngjesin e sotëm shoferin e mikrobusit që u përmbys në anë të rrugës e për pasojë dhjetë nxenës u plagosën.
Astrit Hysi, 52 vjeç nga fshati Vërzhezhë i Skraparit akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit. Arrestimi i tij u bë pasi në rrugën dytësore Vërzhezhë–Çorovodë, në vendin e quajtur Kthesa e Minos, duke drejtuar mjetin tip Benz autobus, humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke u përmbysur në përrua.
Në mjet ndodheshin 25 nxënës, dhjetë u plagosën. Një prej tyre në gjendje më të rëndë ndodhet e shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Shpërthimi tek Drejtoria e Higjenës në Tiranë, arrestohet i plagosuri Gentian Hoxha
Policia ka arrestuar të plagosurin nga shpërthimi tek Drejtoria e Higjenës në Tiranë, Gentian Hoxha. Aktualisht, grupi hetimor ka ngritur akuzat për “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.
Gjatë kontrollit në servis u gjetën dy kapsolla ende të paplasura, disa qarqe elektrike, tela elektrik percjellës dhe një mikroskop që dyshohej se përdorej për montimin e bombave.
Sipas policisë në këtë ambient mund të ketë pasur edhe lëndë tjetër plasëse, por ajo ka shpërthyer gjatë incidentit.
Skrapar, mikrobusi me nxënës shkolle del nga rruga, 10 të plagosur
Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Skrapar, ku një furgon që transportonte nxënës shkolle ka dalë nga rruga dhe për pasojë 10 nxënës janë plagosur.
Policia sqaroi se 4 nxënës 17-vjeçarë janë dërguar në spitalin e Beratit, një tjetër Romina Kapllani është sjellë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa 5 të tjerë janë në Spitalin e Skraparit pasi nuk kanë rrezik për jetën.
Ndërkohë, një vajzë 17 vjeçe është momentalisht e vetmja nga 10 fëmijët e aksidentuar mëngjesin e sotëm në Skrapar që ndodhet në gjendje më të rëndë se ë tjerët. Furgoni që transportonte nxënës shkolle nga fshatrat Buzuq dhe Orizaj për në shkollën e Çorovodës, ka dalë nga rruga dhe është aksidentuar mëngjesin e sotëm në orën 07:35 minuta.
Drejtori i Qendrës së Emergjencave, në Spitalin e Traumës, Skënder Brataj në një prononcim për median informoi se gjëndja e përgjithshme shëndetësore e vajzës është e mirë.
“Ka frakturë të kockës së këmbës dhe shtypje të mushkërive. Presim dhe ekzaminime të tjera. Vajza do i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbë” – u shpreh doktori.
Zv.kryeministrja Mesi tregon kur do të rriten pagat dhe pensionet për vitin 2018
Zv. kryeministrja Senida Mesi sqaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se nuk do të ketë teserë partie për të mbrojtur ata punonjës apo drejtues administrate që marrin ryshfet dhe abuzojnë me detyrën.
“Nuk do të ketë rëndësi se çfarë teserë partie kanë apo sa miq kanë, ajo që na intereson është se si e kryejnë detyrën dhe se si i shërbejnë qytetarit dhe biznesit”, tha Mesi.
Ajo e cilësoi “historike” reformën në shërbimet administrative. E pyetur në lidhje me rritje pagash e pensionesh, Mesi tha se “për vitin 2018-të, në buxhetin e shtetit janë parashikuar 1.8 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve. Kjo për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve“.
Ndërkohë, për vitin 2018-të, në buxhetin e shtetit janë parashikuar 1 miliard lekë për rritjen e pagave të një kategorie të caktuar të punonjësve të administratës publike, kryesisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, bëri të ditur Mesi.
Sa i përket punësimeve “për vitin 2018-të është miratuar VKM për punonjësit e përkohshëm dhe me kontratë. Shtesa e njoftuar është numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme për vitin 2018-të në njësitë e qeverisjes qendrore me një total që është 1752 punonjës”.
Deutche Welle: Rrugët e drogës nga Shqipëria në Europë
Shqipëria njihet si vend i prodhimit të hashashit. Ky nuk është lajm i ri. Lajm i ri nuk është po ashtu as që Shqipëria është pjesë e korridorit ballkanik të trafikimit të drogës, që vjen nga vendet e Lindjes. Megjithatë Shqipëria përmendet gjithnjë kur flitet për drogën në Evropë. “Kjo më shumë sepse shqiptarët janë pjesë e bandave kriminale të trafikimit të drogës në shumë pjesë të Evropës,” – thotë për Deutsche Wellen David Johnson, ekspert në Qendrën e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve. Grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë me grupet kriminale nga Greqia, Italia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Turqia.
Korridori ballkanik dominon drogën që hyn në Evropë nga Lindja. Drogat opioide trafikohen nga vendet prodhuese Afganistani, Pakistani dhe Irani duke kaluar tranzit në Turqi dhe Ballkan për të shkuar në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Rruga ballkanike ka disa linja që ndryshojnë vazhdimisht, por linja kryesore e trafikut kalon nga Bullgaria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Austria, ndërkohë që një linjë më e vogël kalon nga Maqedonia dhe Kosova dhe përdoret kryesisht për magazinimin dhe ripaketimin. “Shqipëria përdoret për të transportuar drogat me rrugë detare në drejtim të vendeve të Evropës Veriore, si Britania e Madhe dhe Estonia,” sqaron David Johnson. Ndërkohë që në drejtimin e kundërt, nga Evropa në Shqipëri hyjnë drogat sintetike.
David T. Johnson, ekspert në Qendrën e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve
Rrugët detare dhe ajrore
Në Shqipëri është rritur numri i qendrave të kultivimit të hashashit, që njihet edhe si marijuan apo kanabis, shoqëruar nga ekspansioni i rrugëve detare të trafikimit dhe përpjekjeve për trafikime me rrugët ajrore, thuhet në raportin e Agjencisë së OKB për Kontrollin e Drogave. Për shkak të rritjes së ofertës çmimi i shitjes së marijuanës ka rënë në 100 deri 400 euro për kilogram. Kurse në vitin 2015 çmimi ka qenë 600 deri 1300 euro për kilogram.
Shqipëria mbetet burimi kryesor i marijuanës që hyn në Evropë. Por prodhime shtëpiake të hashashit futen në Evropë edhe nga Islanda, Lituania, Letonia, Holanda, Polonia, Rumania dhe Sllovakia. Ndërsa vendin e parë për hashashin e mban Maroku, por edhe Libia.
Tregu i drogës ilegale në Evropë furnizohet me drogat e prodhuara në shtëpi, të prodhuara në punishte si dhe nga droga që vjen nga pjesë të tjera të botës. Tregu i drogës ilegale në Evropë vlerësohet të sjellë 24 miliardë euro fitim në vit, thuhet në raport. Më shumë se një e treta e grupeve kriminale që operojnë në BE merren me prodhimin, trafikimin dhe shitjen e drogës ilegale, kurse dy të tretat ushtrojnë edhe aktivitete të tjera kriminale. Këto grupe ilegale përdorin teknologji të reja, përfshirë përdorimin e tregjeve online dhe të kripto-valutave, thuhet në raportin e OKB-së.
Numri i konfiskimeve në Evropë vlerësohet të jetë rreth 1 milionë raste në vit, ku pjesa më e madhe është kanabis. Abuzimi me kanabisin në Evropë është pesë herë më i madh se me substancat e tjera ilegale.
Itinerari i heroinës
Pjesa më e madhe e heroinës të sekuestruar në Evropë e ka origjinën nga Afganistani, Irani dhe Pakistani. Ka dy rrugë trafikimi heroine në Evropë, korridori ballkanik dhe korridori jugor. Rreth 40 përqind e heroinës globale dhe morfinës të kapur në Evropë ka kaluar nga korridori ballkanik, një prej korridoreve kryesorë për trafikimin e opiateve në botë.
E ashtuquajtura pjesa rrugore e korridorit ballkanik të trafikimit përfshin Sirinë dhe Irakun. Kjo linjë është përdorur kryesisht për kontrabandën e heroinës nga Irani dhe Pakistani për në Evropë, ose direkt ose nga kontinenti afrikan. Përveç këtij korridori trafikantët përdorin edhe të ashtuquajturën linjë të veriut që kalon nga jugu i Kaukazit mespërmes Detit të Zi.
Kokaina që gjendet në tregun evropian e ka origjinën në Bolivi, Kolumbi dhe Peru. Trafikantët përdorin rrugë të ndryshme për futjen e kokainës në Evropë përfshirë kontenierë transporti detar, jahte, transportin ajror, avionë privatë, dërgesa me postë, pasagjerë që fluturojnë me avion.
KQZ për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017: Të asgjësohen fletët e votimit!
Pas 7 muajve, në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mori vendimin për asgjësimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve për vitin 2017. Por ndryshe nga herët e tjera, KQZ urdhëroi që procesi të shmangë djegien fizike të votave të shqiptarëve, duke e kryer asgjësimin nëpërmjet riciklimit.
Kështu menjëherë kas një debati të shkurtër, KQZ vendosi hapjen e kutive të votimit dhe asgjësimin e fletëve të votimit, me konsensus dhe pa u votuar nga palët.
Gjithashtu në KQZ u diskutua për shtimin e fondeve, për shkak të mbulimit të kostos së asgjësimin të fletëve të votimit.