Vijojnë denoncimet ndaj dentistes Olesia Duka

497

Një ditë pasi prokuroria njoftoi masën e sigurisë arrest me burg dhe sekuestrimin e pasurisë së dentistes 37 vjecare, Olesia Duka kanë vërshuar denoncimet ndaj saj për mashtrim në shuma të mëdha.
Hetimet janë kryer nga Prokuroria e Durrësit, pasi atje ishte ngritur padia ndaj saj prej një biznesmeni që deklaron se Duka e ka mashtruar duke i zhvatur 900 mijë euro.
Por, nuk është vetëm një person i mashtruar prej saj. Një muaj më parë dentistja i ka marrë një biznesmeni me iniciale R.ZH nga Tirana 30 mijë euro. Dentisja që ishte bërë edhe personazh kopertinash në revista, ka mashtruar të paktën 6 persona, të cilët sot kanë depozituar kallëzime në policinë e Tiranës.
Njoftimi i plotë i prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë mundësoi zbulimin e një vepre penale të një shtetasje për mashtrim me vlera të mëdha financiare, deri në 900 mijë euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në 26 janar 2018 ka filluar procedimin penal nr. 143/2018, për veprën penale “Mashtrimi”, te parashikuar nga neni 143/3 i K. Penal në ngarkim të shtetases Olesia Duka banuese në Tiranë në dëm të shtetasit paditës I.H.
Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se nga autori i veprës penale Olesia Duka (madhor) është kryer vepra penale e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, i cili me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H.që nga njohja mes tyre në nëntor 2016.
Autori i veprës penale vazhdon të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes se shumave të mëdha parash edhe tek disa persona të tjerë.
Për këto arsye nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është caktuar masa e sigurimit arrest ne burg për shtetasen O.D. e datëlindjes 26.09.1980, me banim në Tiranë.
Nisur nga dëmi i madhe i shkaktuar të dëmtuarit nga vepra penale, nga ana e Gjykatës është vendosur sekuestroja preventive për pesë pasuri të autorit dhe familjarëve të tij me një vlerë mbi treqind mijë Euro. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e shumave të vjedhura dhe të fshehura nga ana e autorit të veprës penale.