Sergej Milinkoviç Saviç është një nga emrat më të kërkuar në merkaton në Evropë dhe menaxheri i Lacios Igli Tare e di shumë mirë çmimin e vërtetë për serbin.
Në një intervistë përpara ndeshjes me Sassuolo në kampionat menaxheri shqiptar ka folur për mundësitë e shitjes së mesfushorit. “Ju e dini mirë që në verë refuzuam 70 milionë euro, të cilat tani janë shumë pak për të”. Gjatë javës është folur shumë për një interesim të Real Madrid për Milinkoviç. “Deri në këtë moment nuk kam asnje sinjal nga Real Madrid”, ka thënë Igli Tare.
Në fund te sezonit Lacio do të humbasë me parametra zero holandezin De Vrij, që me shumë gjasa nuk do jetë i vetmi futbollist që do të largohet nga skuadra. “Ndonjëherë shitjet, nëse do të ketë, do të bëhen për të përmirësuar skuadrën që kemi ose për të zgjidhur probleme ekonomike. Për momentin nuk mendojmë për merkaton, por jemi të përqendruar në realizimin e objektivave’, tha Igli Tare.